Seanca e përbashkët, koordinimet mes Maqedonisë dhe Kosovës zgjatën një vit (VIDEO)

“Koordinimet vazhdojnë, duhet të caktohet data e saktë për mbajtjen e seancës, që është punë protokollare dhe presim që shumë shpejtë të ndodh caktimi i datës, dhe do të mbahet seanca e përbashkët e parë qeveritare Maqedoni – Kosovë”, kështu u deklarua sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha në pyetjen e Portalb.mk se kur do të mbahet seanca qeveritare e përbashkët ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës.

Zëdhënësi Hoxha nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se a do të mbahet këtë vit seanca, apo mbetet për vitin e 2019-të.

U paralajmërua për në muajin janar, kurse ka 5 muaj që Qeveria e Maqedonisë e ka miratuar informacionin për nisjen e përgatitjeve për mbajtjen e seancës së përbashkët qeveritare Maqedoni – Kosovë. Në këtë seancë qeveritare do të nënshkruhen marrëveshje në fushën e komunikacionit hekurudhor, memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë në fushën e kontrollit të mallrave si dhe marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën e diasporës, njofton Portalb.mk.

Megjithëse i nevojshëm, sipas të dhënave, në seancën e përbashkët nuk do të nënshkruhet edhe marrëveshja për heqjen e roamingut.

Roamingu ishte në fokus të Samitit digjital që u mbajt në Shkup gjatë mesit të muajit prill, në të cilin kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ai i Kosovës, Ramush Haradinaj shtruan nevojën për uljen e çmimit të roamingut.

Paraprakisht, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për heqjen e roamingut me Shqipërinë, e kurse Maqedonia me Bullgarinë, kurse Maqedonia seanca qeveritare të përbashkëta ka mbajtur me Bullgarinë dhe Shqipërinë, me të cilat pritet të realizojë edhe seanca kthyese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button