Kur qëllimi i arsyeton mjetet

I arratisuri nga drejtësia, Nikolla Gruevski, e tregoi më në fund fytyrën e tij atje, në Hungarinë miqësore, ku kishte dalë të shijojë një drekë të mirë me të njohurit e tij, i lirë dhe i lumtur, i pritur dhe i përcjellur nga vozitës privat, duke shpenzuar, mes tjerash, edhe paratë tona të cilat aq zemërgjërësisht ia japim në formë të rrogës së deputetit të ulur 5% për shkak të mungesës së tij të paarsyetuar në Kuvend. Është frustruese të shihet nonshalanca me të cilën ai u shmanget gazetarëve dhe vazhdon i papenguar të jetojë jetën e tij normale, pa pasur as më të voglin shqetësim për atë se ku duhet të jetë, çfarë duhet të bëjë, sa dënime duhet të mbajë…

Në ndërkohë, në Maqedoni ndodhin gjëra tjera. Ikja e Gruevskit nuk është më në rend të ditës sepse secila çudi tri ditë zgjat, apo jo? Në Maqedoni tani ka prioritete tjera, si për shembull sjellja e Ligjit për Amnesti të pjesshme për ngjarjet e 27 Prillit, ligj të cilin dje Komisioni parlamentar për pajtim njoftoi që e ka përgatitur. Pjesëtarët e këtij trupi parlamentar thanë që sipas këtij propozimi, amnesti nuk do të ketë për pjesëtarët e MPB të cilët kanë përgjegjësi komande dhe të cilët janë bartës të komandës së artë, argjendtë, bronztë, etj. Poashtu thuhet që amnesti nuk do të ketë as për inspirues dhe organizatorët e ngjarjeve të 27 Prillit. Ky është formulim shumë i gjerë dhe duhet saktë të përcaktohet se kush janë ata inspirues dhe organizatorë, kur e dimë se organizatorët kryesorë as nuk janë përfshirë në aktakuzë dhe njëri prej tyre shëtit i lirë në Hungari. Poashtu thuhet që nuk do të ketë amnesti për ata që kanë kryer vrasje në tentativë si dhe për të gjithë ata që kanë kryer akte dhune gjatë asaj nate të përgjakshme. Nga Komisioni për pajtim sqaruan që ata nuk do të bëjnë rikualifikim të veprës penale (as që kanë ingerenca për të bërë një gjë të tilë) dhe që numri i saktë i të amnestuarve do të dihet pas kualifikimit përfundimtar që Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion do të bëjë për këtë rast. Rikualifikimi mund të bëhet deri në fund të shqyrtimit kryesor, kështu që pritet të shihet veprimi i asrdhshëm i kësaj Prokurorie. Kjo do të reflektojë në numrin e të amnestuarve.

Ajo që është e qartë është se amnesti të pjesshme megjithatë do të ketë. Deputetët që hapën dyert e rënda të Kuvendit atë ditë, do të mund të përfshihen në këtë amnesti. Në fakt, një pjesë e mirë e gjithë këtij procesi u dedikohet pikërisht atyre, sepse të njejtit tani duhet t’i votojnë ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Kështu drejtësia edhe një herë do të sakrifikohet me plot vetëdije në altarin e politikës. Në fakt, përfundimi kryesor për ngjarjet e këtyre viteve të kaluara është se drejtësia është thjeshtë e pamundur në vende politikisht jostabile.

Në aspektin juridik, një amnesti qoftë edhe e pjesshme për një ngjarje të tillë si 27 prilli në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet. Të amnistosh çfarëdolloj involvimi në ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm është jo vetëm e papranueshme por edhe e rrezikshme për shtetin. Njerëzit e involvuar në akte terroriste zakonisht marin dënime të rënda, si për shembull në Rastin e Kumanovës, ku të pandehurit u dënuan me 170 vjet burg. Po të shikojmë praktikën e shteteve tjera lidhur me aktet terroriste do të përfundojmë se këto vepra trajtohen si shumë serioze dhe falja e tyre për qëllime politike është e papranueshme. Një falje e tillë nënkupton se dikush që ka mundësuar dhe ka ndihmuar sulmin e dhunshëm ndaj parlamentit me qëllim që të pengojë transferin e qetë të pushtetit – që është vetë esenca e demokracisë, mund të shpëtojë pa u dënuar dhe të kthehet si hero në komunitetin e vet me arsyetimin se e ka bërë vendimin e duhur politik në kohën e duhur. Kjo në aspekt juridik asnjëherë dhe me asnjë akt nuk mund të arsyetohet.

Në aspektin poltik një amnesti e tillë e pjesshme është e kuptueshme. Në politikë me rëndësi është qëllimi final, i cili në këtë rast është votimi i ndryshimeve kushtetuese. Ai qëllim si duket nuk mund të arrihet pa këtë Ligj për amnesti të pjesshme. Sikur VMRO-DPMNE të kishte treguar një sjellje më konstruktive dhe shtetërore, sikur vërtet të ishte angazhuar për integrim në NATO dhe BE do t’i kishte votuar këto ndryshime kushtetuese dhe do të kishte siguruar shumicën e kualifikuar 2/3 duke kërkuar sundimin e së drejtës dhe gjykimin e fajtorëve edhe nga rradhët e veta. Por jo, ata vendosën të kërkojnë amnesti të përgjithshme dhe vazhduan të bëjnë poena politikë duke shfrytëzuar këtë moment delikat për shtetin. Në këtë rast, kur koha kalon kaq shpejt dhe pamëshirshëm, Kryeministri i cili e ka ende të freskët shenjën në ballë nga dhuna e 27 prillit, duhet të pajtohet me një amnesti të tillë të pjesshme në mënyrë që procesi politik të ecë përpara. Nuk besoj se me gjithë qejf dhe me shumë dëshirë ka pranuar t’i falë ata që desh ia thyen kokën atë të enjte të përgjakshme. Nuk besoj se e ka pasur të lehtë të pajtohet me amnestimin e atyre që hapën dyert atë natë në Kuvend dhe lejuan që të ndodhë dhuna aty. Por atë natë të përgjakshme të ndërimit të pushtetit qëllimi përfundimtar ishte që të arrijmë në këtë ditë, kur mund të flasim konkretisht për mundësinë e zgjidhjes së konfliktit me Greqinë dhe integrimit në NATO dhe BE.

Në poltikë qëllimet janë të qarta ndërsa mjetet për arritjen e tyre shumë shpesh janë të papërshtatshme. Por siç duket qëllimi në të shumtën e rastve i arsyeton mjetet, sado të papërshtatshme të jenë ato.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button