Kyçje në ngrohtore, duan apo nuk duan qytetarët!

Të gjithë ata të cilët janë ç’kyçur nga përdorimi i ngrohjes qendrore, do të duhet të kyçen përsëri deri më 1 tetor të këtij viti. Kështu thuhet në rregulloren e kushteve për furnizim me energji termike e cila pritet të shpallet sot në “Gazetën zyrtare”.

Rregulloren e ka përgatitur Komisioni rregullator për energjetikë dhe, sipas njeriut të dytë të Komisionit, Ruhi Bakiu, të gjithë të cilët gjatë viteve të kaluara janë ç’kyçur nga ngrohja qendrore, duhet të kthehen në sistem. 

“Qëllimi është që të mbahet në kondicion sistemi i ngrohjes dhe të ulen llogaritë për përdoruesit. Në qoftë se dikush dëshiron të ç’kyçet pastaj, do të duhet të marrë pëlqim nga të gjithë banorët e kyçur të ndërtesës, ndërsa do të kenë për obligim të paguajnë edhe kompensim fiks mujor. Unë nuk votova për Rregulloren, pasi që, si jurist, mendoj se Ligji për energjetikë nuk parasheh një  detyrim  të tillë për konsumatorët, të paguajnë kompensim për një shërbim të cilin nuk e shfrytëzojnë”, tha zv/kryetari i Komisionit, Ruhi Bakiu. 

Ai shtoi se në qoftë se dikush do të ankohet para Gjykatës kushtetuese, Gjykata do të duhet të deklarohet rreth kushtetutshmërisë së këtij vendimi. Sipas Rregullores, ky vendim nuk do të vlejë për ata qytetarë të cilët jetojnë në ndërtesë ku tërësisht është i ç’kyçur sistemi i ngrohjes.

Ata të cilët do të marrin pëlqimin nga banorët e ndërtesës për t’u ç’kyçur nga sistemi, do të duhet të paguajnë çdo muaj nga 10 denarë për metër katrorë.

Sipas Bakiut, kjo do të bëjë që të ulen llogaritë e atyre të cilët tani janë të kyçur, të cilët deri më tani kanë paguar edhe për fqinjët e tyre. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button