May i mbijetoi votës së mosbesimit në Britani

Kryeministrja britanike, Theresa May, i ka mbijetuar një vote mosbesimi që është organizuar nga konservatorët e Partisë së saj, Tory.

Ajo ka fituar 200 vota në favor të saj, në krahasim me 117 vota tjera kundër.

Për të fituar këtë proces, asaj i janë dashur 159 vota, apo gjysma e deputetëve parlamentarë, plus një tjetër votë.

Duke folur jashtë objektit të kryeministrisë në Downing Street, kryeministrja britanike ka thënë se “një numër i madh i kolegëve kanë votuar” kundër saj, njofton REL.

“Neve na duhet të vazhdojmë punën për të siguruar një Brexit që siguron votën”, ka thënë ajo.

Sipas Mayt, politikanët e të gjitha anëve duhet të bëhen bashkë për të vepruar në të mirë të interesit kombëtar.

Ndërkohë në një takim të mbyllur me ligjëvënësit e saj para se të arrijë vendimi për fatin e saj, May ka thënë se ajo nuk do të drejtojë partinë e saj në zgjedhjet e ardhshme.

“Ajo ka thënë se nuk do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë ministrja për Punë dhe Pensione, Amber Rudd para gazetarëve.

“Ka qenë një fjalim emocional, ajo ka thënë se ‘në zemrën time unë kam dëshiruar të bëj atë, mirëpo tani e di se nuk do të garoj’”, ka shtuar Rudd.

Njoftimi për votën e mosbesimit ndaj saj ka ardhur vetëm dy ditë pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim se Qeveria britanike mund të tërheqë njëanshëm vendimin për t’u larguar nga blloku evropian, pa u konsultuar me shtetet tjera anëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button