Fogo: Është koha për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Komandanti i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, admirali James Foggo, deklaroi në Shkup se ka ardhur koha që Maqedonia të anëtarësohet në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Foggo i cili po qëndron për një vizitë zyrtarë në Maqedoni, është pritur në një takim nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit, tha se vizita e parë e tij ka qenë në vitin 2004, atëherë kur vizioni i tyre ka qënë Maqedonia në NATO.

“Besoj se kjo kohë ka ardhur. Mëngjesin e sotëm u prita nga ministrja Shekerinska dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-majori Vasko Gjurçinovski. NATO çmon lart përparimin tuaj dhe shpresojmë në një të ardhme të shpejtë t’ju dëshirojmë mirëseardhje si aleati i 30-të në NATO”, tha Foggo, për të shtuar se përkushtimi i 29 shteteve anëtare të NATO-s, në cilësi të aleatëve, do të përforcojë stabilitetin e vendit tuaj përmes sigurisë kolektive.

Ai tha se zyra e NATO-s që ndodhet në Shkup do të vazhdojë bashkëpunimin nga afër me autoritetet e vendit nga aspekti i dhënies së këshillave për anëtarësim të plotë në Aleancë.

Ministrja e Mbrotjes Shekerinska, nga ana e saj, tha se vizita e admiralit Foggo vjen në një moment kur Maqedonia po bën përgatitjet e fundit për realizimin e qëllimit strategjik që është anëtarësimi në NATO.

Ajo tha se vendi ka një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm me komandën në Napoli në më shumë fusha.

“Si një përgjegjëse e komandës së KFOR-it në Kosovë, mund të them se Maqedonia do të vazhdojë me ndihmesën e saj për forcat të cilat deri më tani kanë tranzituar nëpër Maqedoni”, tha Shekerinska, për të shtuar se janë të gatshëm edhe për përkrahje operacionale për forcat e KFOR-it me oficerë, që shihet si një mundësi për kontribut për NATO-n.

“Maqedonia e vazhdon dhe forcon praninë e saj në misionin ‘Mbështetja Vendimtare’ sepse besojmë fuqishëm në vlerat e Aleancës”, shtoi Shekerinska, sipas së cilës, paqja dhe stabiliteti në botë, kanë ndikim pozitiv mbi secilin shtet të botës, përfshirë edhe Maqedoninë.

Ajo informoi admiralin Foggo për reformat të cilat i ka bërë vendi, duke e siguruar admiralin e NATO-s se po finalizojnë detyrimet nga marrëveshja me Greqinë dhe se në fillimin e vitit 2019 Maqedonia do të jetë në të njëjtën tryezë me aleatët e saj të NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button