Lindja e një vizioni të ri

Zëri i këtij brezi është shpresëdhënës në një shoqëri spektakli e mendimesh të gatshme. Është sinjal domethënës për fillimin e krijimit të një standardi të ri në jetën shoqërore.

Zëri i këtij brezi më përkujton vargjet e Uolt Uitmanit: “Kundërshtoni shumë, binduni pak, se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë”.

Ky brez nuk e duron më ripaketimin e mashtrimit, diktaturën e banalitetit, tiraninë e aktualitetit, as nuk dëshiron të jetojë në perandorinë e kiçit politik.

Pjesëtarët e këtij brezi e shohin mbretin lakuriq dhe nuk duan të jetojnë në realitet të konstruktuar nga mjeshtrit e mashtrimit. Ata duan të jetojnë në shtet normal e solidar, ku ligjet vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët dhe jo si te fiksionet e Oruellit me “më të barabartë se sa të barabartët”.

Ata duan sistem vlerash në kaosin e përgjithshëm.

Ata janë fisnikërimi përballë katastrofës së ndërgjegjes njerëzore.

Ata janë zëri kundër të veshurve me pushtet, që nuk duan t’i dëgjojnë të tjerët, por si Hamleti, duan të dëgjojnë vetëm fantazmën, lakenjtë, trushkulurit, të korruptuarit, oportunistët mediokër, qeniet pa personalitet të cilët e duan princin më shumë se çdokënd tjetër.

Ata janë kundër mumieve, që me praninë e tyre, me dekada, ndotin ambientin politik dhe institucionet publike.

Ata janë sinqeriteti, ndershmëria dhe guximi që neve na mungoi. Në që nuk bëmë asgjë për këtë brez, duhet ta mbyllim gojën, ta dëgjojmë këtë zë të bukur e të sinqertë dhe mos ta pengojmë ta imponojë vizionin e qartë dhe shpresëdhënës.

Ky vizion i trishton të gjitha partitë politike, sepse janë të njëjta përkundër dallimeve, prandaj duan të imponohen me çdo kusht, duke dashur ta vjedhin një kauzë që i duhet shoqërisë shqiptare. Imponohen sepse ndjejnë se u ndodh e paparashikuara, se po u prishen skemat që i kanë paramenduar si të përjetshme.

Ky vizion i ri është sfidë kundër një sistemi të kalbur, i ndërtuar me vite nga protagonistët e politikës. Sistemi i kalbur e degjeneron edhe njeriun e ndershëm, kurse një sistem normal nuk i lë hapësirë të pandershmit. Ky brez dëshiron një sistem të ri vlerash dhe jo të degjenerohet në sistemin e kalbur.

Ky brez dëshiron që shtetin t’ua kthejë qytetarëve, për dallim nga politikanët meskinë, që duan shtetin t’ua lënë trashëgim vetëm fëmijëve të tyre.

Ky brez ka ndjenjë për jetën e përbashkët dhe pronën publike.

Ky brez proteston për të pasur politikë, sepse politika është pajtimi i njeriut me shoqërinë.

Ky brez i imponon idealet e tij në një botë pa ideale dhe nuk pajtohet me zgjidhje gjysmake, të përkohshme, sepse nuk do fasadë, por esencë.

Ky brez di të bëhet i dukshëm në një botë që nuk dëshiron t’i sheh, di të bëhet i rëndësishëm në një botë ku të rëndësishëm janë abuzuesit e pronës së përbashkët.

Reagimi i tyre na përkujton vargun e famshëm të një rokeri: “Çfarëdo sistemi që të shpikni pa ne do të përmbyset”.

Ata janë pasqyra ku ne brezat më të vjetër mund ta shohim të zitë e zemrës sonë; ne, pra, që lejuam prishjen e ekuilibrit të domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie normale – sinkronin ndërmjet faktorit shpirtëror e material.

Ata sot protestojnë kundër atyre që i quajnë “pabuksa” qytetarët e ndershëm, vetëm se nuk kanë baballarë të pushtetshëm, mashtrues, të paskrupullt.

Ky brez e ka kuptuar në esencë thënien e Abraham Linkolnit: “Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë”. Ky brez ka filluar ta krijojë të ardhmen sipas një vizioni të qartë dhe do ta krijojë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button