U hap espozita “Trashëgimia etnologjike e bashkësive etnike të pakicave në Maqedoni”

Disa pjesë të kostumeve dhe stolive popullore, si dhe sende për avmvisëri të bëra prej druri, tekstili, metali dhe qeramike, ishin pjesë e ekspozitës “Trashëgimia etnologjike e bashkësive etnike të pakicave” që u hap sonte në Muzeun e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita “Trashëgimia etnologjike e bashkësive etnike të pakicave” është ekspozita e parë në Muzeun e Maqedonisë që prezanton trashëgiminë integrale kulturore të bashkësive etnike të shqiptarëve, turqve, romëve dhe vllehëve.

Ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, në hapjen e ekspozitës theksoi se nisma e Muzeut të Maqedonisë dhe e delegacionit të BE-së në Maqedoni për prezantimin e ekspozitës është me rëndësi të madhe meqë përmes kulturës në mënyrë shtesë njoftohemi mes veti.

“Gjithë ajo që mund të tingëllojë në raftet e muzeve, të shihet në raftet e muzeve për herë të parë në mënyrë të tillë sistematike, për një çast do të na mundësojë të kthehemi në kohën e fundit të shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit 20-të, të njoftohemi me stolinë, kostumet, pajisjet shtëpiake dhe me sende tjera që kulturalisht i determinojnë këto bashkësi”, theksoi Asaf Ademi.

Ministri pa resor përgjegjës për diasporën, Edmond Ademi, theksoi se ekspozita është një rast i mirë që secili prej nesh të njoftohet me këto elemente kyçe të cilat i bëjnë bashkësitë etnike të pasura dhe të ndryshme.

“Mosnjohja apo injorimi i dallimeve të ndërsjella ndoshta është sfida më e madhe me të cilën përballet njerëzimi sot. Pa njohjen e vërtetë të dallimeve nuk do të mund të vlerësojmë gjënë e përbashkët që ekziston tek të gjithë ne”, porositi Edmond Ademi.

Në hapjen solemne mori pjesë edhe shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Ai në fjalimin e tij përkujtoi se Bashkimi Evropian vitin 2018 e ka shpallur si vit të trashëgimisë kulturore.

“Qëllimi i këtij viti është që qytetarët ta zbulojnë dhe nga afër të njoftohen me trashëgiminë kulturore. Trashëgimia formon identitetin dhe përditshmërinë tonë. Kjo është e pranishme kudo në qytetet evropiane, në natyrë, literaturë, art, objekte dhe veshmbathje”, tha Zhbogar.

Secila prej eksponateve të prezantuara, që daton nga shekulli i 19-të deri nga mesi i shekullit të 20-të, në vete mban kujtesën kolektive historike dhe emocionale të bashkësive etnike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button