Egjipt, qeveria ka ndaluar shitjen e jelekëve të verdhë

Qeveria egjiptiane ka ndaluar shitjen e jelekëve të verdhë, simbolit të protestave në Francë, para përvjetorit të revolucionit popullor të vitit 2011 që rezultoi me dorëheqjen e ish-presidentit Hosni Mubarak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Forcat e sigurisë egjiptiane paralajmëruan dyqanet që shesin pajisje sigurie, të mos u shesin jelekë të verdhë qytetarëve dhe të mos bëjnë shitjen e tyre me shumicë pa miratimin e policisë.

Korrespondenti i Associated Press (AP), i cili ka vizituar gjashtë dyqane ku shiten materiale të tilla, ka takuar pronarët bizneseve për të biseduar në lidhje me ndalimin e shitjes së jelekëve të verdhë.

Disa pronarë biznesesh kanë refuzuar të flasin rreth çështjes, ndërsa katër prej tyre thanë se kanë ndaluar së shituri jelekë të verdhë pas paralajmërimit të policisë.

Një pronar biznesi i cili ka kërkuar të ngelet anonim tha se autoritetet kanë sjellë këtë vendim për të parandaluar protesta të ngjashme me ato të Francës.

Një pronar i një dyqani tjetër deklaroi se forcat e sigurisë u kanë bërë presion që të mos shesin jelekë të verdhë.

“Pak ditë më parë, policët erdhën këtu dhe na kërkuan të ndalonim shitjen e jelekëve të verdhë. Kur i pyetëm për arsyen, ata thanë se po zbatonin urdhrat”, ka thënë ai.

Zyrtarë të sigurisë, emrat e të cilëve nuk janë shpalosur në raportimin e AP-së, kanë deklaruar se policia këtë javë ka takuar pronarët e bizneseve që importojnë produkte të sigurisë dhe bëjnë shitje me shumicë dhe u ka komunikuar rregullat e reja në lidhje me shitjen e jelekëve të verdhë.

Të njëjtat burime të sigurisë kanë thënë gjithashtu se ndalimi i shitjes së jelekëve të verdhë mund të vazhdojë deri në fund të janarit.

Ndryshe, demonstratat masive në Egjipt të cilat filluan më 25 janar të vitit 2011, u shndërruan në një revolucion popullor dhe përfunduan më 11 shkurt, kur Hosni Mubarak, i cili kishte mbajtur pushtetin për tridhjetë vjet, u largua nga posti i tij.

Muhammed Mursi, i cili fitoi zgjedhjet pas revolucionit, bëri betimin më 30 qershor të vitit 2012, por u përmbys nga detyra përmes një puçi ushtarak më 3 korrik të vitit 2013 nga ana e gjeneralit Abdulfettah al-Sisi, i cili mori pushtetin në duart e tij.

“Jeleku i verdhë” u bë simbol i demonstratave që filluan më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburantit në Francë dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button