Senatori amerikan: Nuk mund të vendos kush janë më të këqinj, sauditët apo iranianët

 Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Rand Paul, tha se vendi i tij duhet t’i shqyrtojë marrëdhëniet me Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi dhe shtoi se e ka vështirë të vendosë se “cilët janë më të këqinj kur krahasohen, sauditët apo iranianët”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një program në televizionin Fox News, Paul e cilësoi vrasjen e Khashoggit si “ngjarje që nuk mund ta tolerojë asnjë ndërgjegje”.

Paul tha se vrasja e Khashoggit i ka shqetësuar të gjithë njerëzit, qofshin republikanë apo demokratë.

“Të gjithë e themi të njëjtën gjë. Nëse nuk e ngreni zërin përballë një ngjarjeje të këtillë, atëherë do të përballeni me ngjarje edhe më të këqija”, deklaroi senatori amerikan.

Paul po ashtu theksoi se Arabia Saudite dëmton paqen botërore me mbështetjen që u jep ideve ekstremiste.

“Kur krahasoj sauditët me iranianët, e kam vështirë të vendos se cilët janë më të këqinj. Në fakt, sauditët janë problem më i madh për botën në aspektin e përhapjes së ideve radikale dhe nxitjes së dhunës ndaj civilëve”, u shpreh Paul.

Senatori Paul tha se vendi i tij duhet të shqyrtojë shitjen e armëve Arabisë Saudite.

“Të paktën duhet të pushojmë së shpërblyeri ata”, tha ai.

“Këtë sektor nuk duhet ta shohim vetëm në aspektin e fitimeve ose punësimeve. Nëse Arabia Saudite nuk është aleat i besueshëm në kuptimin e plotë të fjalës, atëherë nuk duhet t’u shesim armë”, shtoi Paul.

Deklarata e ashpër e senatorit Paul vjen dy ditë pas asaj të senatorit tjetër nga radhët e Partisë Republikane, Lindsey Graham, i cili tha se nuk pajtohet me mendimin se reagimi i Washingtonit ndaj vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi do të dëmtonte interesat rajonale të vendit të tij dhe shtoi se pa SHBA-në, Arabia Saudite do të fillonte të fliste gjuhën perse brenda një jave.

“Ata kanë më shumë nevojë për ne sesa ne për ata”, ishte shprehur Graham.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button