Maqedonia dhe Bullgaria ashpërsojnë retorikën për maqedonishten

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedonas, duke theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit, është vlerë evropiane e cila duhet të pranohet nga të gjithë, transmeton REL.

“Unë jam maqedon, flas gjuhën maqedonishte, kjo është e drejtë e imja. Kjo është vlerë evropiane. Unë pres që vlerat evropiane të pranohen nga të gjithë. Ashtu siç kam shtrirë dorën dhe kam pranuar të ndajmë historinë e përbashkët, do të vazhdoj të flas në frymën e miqësisë dhe do të vazhdoj të ndërtoj fqinjësi të mirë, pa marr parasysh se në çka i bazojnë deklarata e tyre. Unë besoj se zoti Karakaçanov, ministrja e jashtme Zaharieva dhe kryeministri Borisov, por para se gjitha populli bullgar është popull mik i popullit tonë”, deklaroi Zaev, duke shtuar se të drejtën e përcaktimit e garanton Marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit me të cilën Maqedonia do të ketë emër të ri , Maqedonia e Veriut.

“Po, do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, por askush më nuk do të na e kontestojë këtë copë tokë, që na e kanë lënë në trashëgimi. Që nga pavarësia në vitin 1991 e kemi tonën dhe njihet nga të gjithë. Aty jeton popull maqedonas që njihet nga të gjithë. Askush më botë nuk do të ma kontestoj mua e as juve të drejtën e vetë-përcaktim”, ka deklaruar Zaev.

Ka reaguar edhe opozita duke e vlerësuar qëndrimin e zyrtarëve bullgar si kuazi-patriotizëm në kohën kur në bullgari po hetohen edhe afera mbi tregtinë me pasaporta.

“Vlerësoj se ende ka forca në të dyja anët që nuk i mendojnë të mirën raporteve fqinjësore. Në këtë drejtim i shoh edhe deklaratat e zyrtarëve bullgarë që vijnë edhe në kohën e një teme aktuale lidhur me dhënien e pasaportave bullgare. Supozoj se ky kuazi-patriotizëm i zotit Karakaçanov është në funksion të politikës”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Reagimet e zyrtarëve bullgarë kishin pasuar një deklaratë të kryeministrit Zaev se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe se askush më nuk do të ketë të drejtë që këtë ta kontestojë”.

“Zoti Zaev, mos e keqpërdorni temën me gjuhën maqedonase. Kjo mund t’ju kushtojë me anëtarësimin në NATO dhe BE…Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë. Zaevi nesër mund të dëshirojë një dialekt të ngjashëm bullgar të mësohet si gjuhë zyrtare e huaj te ne. Kjo është e papranueshme. Ky është provokim”, kishte deklaruar Krasimir Karakaçanov, zëvendëskryeministër për Siguri dhe Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë.

Ndërkohë edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka thënë se dy vendet duhet të zgjidhin çështjet e hapura historike para se Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Bullgaria ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes për miqësi mes Maqedoninë, por shumë me rëndësi është zbatimi i saj. Bullgaria kërkon që gjatë bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE të kryhen të gjithë obligimet e marrëveshjes për fqinjësi të mirë”, ka deklaruar Zaharieva.

Zyrtarët bullgarë kanë deklaruar se historia e Maqedonisë së sotme është e përbashkët me atë të Bullgarisë deri në vitin 1944, andaj edhe kanë kërkuar aneks në Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë që pala maqedonase të pranojë këtë si fakt.

“Nëse këtë e kundërshtojnë, nuk do ta marrin mbështetjen tonë për në NATO dhe BE”, ka theksuar Ministri i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.

Maqedonia dhe Bullgaria, Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë e kanë arritur më 1 gusht dhe me të dy vendet pretendojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kryesisht kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të para Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase, të cilën tani zyrtarët bullgarë e mohojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button