Shqipëri, vazhdon protesta e studentëve

Studentët e universiteteve publike të Shqipërisë kanë vazhduar të protestojnë duke insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre dhe duke refuzuar dialogun me institucionet dhe Qeverinë e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Studentët kërkojnë përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve të cilat ndryshojnë sipas universiteteve dhe profileve të studimit, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, rritjen e buxhetit për arsimin, përfaqësim në bordet drejtuese të universiteteve, si dhe kanë edhe disa kërkesa të tjera.

Mijëra studentë janë mbledhur sot në Tiranë para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa protestës së sotme i janë bashkuar edhe nxënës të disa gjimnazeve të Tiranës.

Studentëve të Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, u janë bashkuar edhe studentë nga universitete në qytete të tjera të vendit, por edhe qytetarë dhe familjarë të tyre. Protesta të studentëve janë mbajtur edhe në Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Ndërkohë studentët nuk kanë lejuar pjesëmarrjen në protestë të përfaqësuesve të partive politike, duke theksuar se protesta e tyre nuk është politike. Me thirrjet “plotësoni kërkesat” dhe “ulni tarifat”, ata kanë përsëritur refuzimin e tyre për dialog me ministrinë, duke kërkuar vetëm plotësimin e kërkesave të tyre.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur sot ftesën për dialog me studentët, pas reagimit të tij të djeshëm, ku theksoi se ka kërkuar që të diskutojë me studentët për kërkesat e tyre.

Rama nga rrjetet sociale ka theksuar se secila prej kërkesave të studentëve duhet kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi.

“Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin. Do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë”, ka shkruar Rama.

Protesta e studentëve të universiteteve publike para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë filloi më 5 dhjetor, ndërsa studentët protestues kanë theksuar se nuk tërhiqen deri në realizimin e kërkesave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button