“Brexit”, Tusk thërret samitin e BE-së të enjten, por: S’ka rinegociim!

Presidenti i Këshillit Europian njoftoi këtë të hënë se do të thërrasë një takim të udhëheqësve të BE-së për të diskutuar mbi “Brexit”-in, por paralajmëroi se nuk ka asnjë mundësi që të rinegociohet marrëveshja e tërheqjes së ishullit mbretëror nga blloku.

Pasi kryeministrja britanike Theresa May shtyu për më vonë votimin në Parlament për të aprovuar marrëveshjen e arritur prej negociatorëve të saj, shefi i BE-së, Donald Tusk tha se krerët e shteteve anëtare do të mund ta takohen të enjten, transmeton Top Channel.

“Ne nuk do ta rinegociojmë marrëveshjen, përfshi këtu edhe mbështetjen, por jemi të gatshëm të diskutojmë sesi do të mund ta lehtësojmë ratifikimin e saj në Parlamentin britanik”, shkruajti ai. “Ndërkohë që koha po ikën, ne do të diskutojmë gjithashtu edhe gatishmërinë tonë për një skenar pa marrëveshje”.

Një zëdhënës i Tuskut tha se agjenda e takimit, që pritet të dalë në ditën e parë të samitit të planifikuar të Këshillit Europian, nuk është përcaktuar ende.

“Bazuar në vendimin e kryeministres May për të shtyrë votimin, presidenti Tusk vendosi të thërrasë Këshillin Europian, bazuar në nenin 50, ditën e enjte”, tha zëdhënësi. “Nuk ka për të pasur rinegociim të marrëveshjes së 25 nëntorit, por 27 vendet anëtare janë të gatshme të diskutojnë mënyrat sesi të arrihet te ratifikimi i saj”, shtoi më tej ai.

Në fund, zëdhënësi tha se BE-ja mbetet në kontakt me Britaninë e Madhe sesi do të procedohet më tej, duke shtuar e Tusk po konsultohet me 27 krerët e tjerë të shtetëve anëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button