Maqedoni, të burgosurit filluan grevën e urisë, por pasi Zaev s’ua pranoi kërkesën për amnisti e ndaluan

Qindra të burgosur nëpër burgjet e vendit sot nisën grevën e urisë, me kërkesën që të amnistohen njëjti siç po përflitet se do të falen edhe disa prej të akuzuarve për ngjarjet e 27 prillit, njofton TV21.

“Kërkojmë amnisti që është duke u përgatitur vetëm për ata të 27 prillit që ndodhi rasti në Kuvend, kërkojmë që edhe ne të jemi pjesë e asaj amnistie që të jetë e përgjithshme”, tha i burgosuri në inst. korrektues ndëshkues “PRILEP”.

“Si është e mundur që Qeveria për këta të 27 prillit brenda një jave të formojë komision, kurse për ne të burgosurit e tjerë nuk interesohet askush”.

Gazetari: Pse mendoni se duhet të amnistoheni edhe ju?

Sepse edhe ne jemi pjesë e këtij shteti, edhe ne jemi qytetarë të këtij shteti njëjte sikur këta të 27 prillit si dhe të tjerët…”, u shpreh i burgosur në inst.korrektues ndërshkues “IDRIZOVË”.

Në Idrizovë sot ushqimin e refuzuan rreth 700 të burgosur, ndërsa në Prilep rreth 40, na informuan drejtorët e të dy burgjeve. Të burgosurit me të cilët komunikuam na thanë se s’do të hanë asgjë deri sa të marrin përgjigje nga qeveria dhe se kanë shpresë për përgjigje pozitive. Por përgjigja u erdhi shpejt. Kryeministri Zaev ua preu shpresat.

“Praktikë në botë është që ligje të përgjithshme për amnisti të sillen në çdo 4 deri në 8 vjet. Kështu që 30% e asaj që është e lejuar të amnistohet në Evropë, u lejua edhe në Maqedoni, Kuvendi i solli vendimin me ligj për amnisti të përgjithshme dhe kjo tashmë është zbatuar. Në periudhën e ardhshme nuk do të ketë ligj të përgjithshëm për amnisti”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Kjo përgjigje e shpërndarë shpejt nëpër internet, bëri që të burgosurit ta ndërprejnë grevën disa orë pasi e kishin filluar. Ata kërkesën për amnisti e kanë dërguar edhe tek Avokati i Popullit, e këtë na e konfirmoi vetë Ixhet Memeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button