Fija e mëndafshtë e melankolisë

Kanë ardhur kohë të tjera edhe ndër ne, kohë që nuk i shkojnë  traditës sonë. Dikur siguri nuk kishte jashtë shtëpisë, sot të shkretën siguri nuk e ke as në familje. Në rrethin dikur të ngrohtë pranë vatrës së gjyshit tash gëlojnë ndjenjat e braktisjes. Të të qenit i tepërt nga vëllezër e motra dhe nga fëmijët. Harrohen sakrificat e prindërve, harrohet dashuria e tyre. Si përfundim – ballafaqohemi me dëshpërimin e atyre që na kanë rritur dhe na kanë nxjerrë në dritë, të cilët kan mbajtur barrë të rëndë mbi shpatulla për të hapur shtigje drejt lirisë së fëmijëve tl tyre, drejt realizimit të të shumë të drejtave të cilët ata vetë s’i kanë pasur.

Tash jemi në fazën e parë të kësaj përvoje të braktisjes së pleqve nëpër fshatra dhe nëpër qytete. Kemi shkelur në një hapësirë të një përvoje të panjohur, në të cilën pleqtë tonë do të “njoftohen” me goditjet e rënda të vetmisë. Një kohë do të qëndrojë pranë tyre shpresa se djemtë ose vajzat e tyre, domethënë, krenaria e tyre, nuk do t’i harrojnë, se në çastet e duhura do të jenë aty pranë.”Tash vihet me aeroplan për një orë nga vendet e huaja”… Ndërkaq nuk do të mund të vijnë fëmijët e tyre të dashur, ngase vrapi pas punës, pas parasë, pas detyrimeve, do të bëhet peshë “më me vlerë” se sa prindërit e tyre. Sepse, “mirë janë ata, e kanë një pension… Për bukë e për veshë e mbathë nuk kanë nevojë… Çka iu duhet më shumë?! Pleq janë. Nuk kanë nevojë për jetë nate”! E pleqtë, të mbështetur për dritarejee duke pritur  do ta shpalojnë dashurinë e pafund që kanë pasur dhe që vazhdojnë ta kenë për fëmijët e tyre. Para tyre do të dalin në skenë dimrat e gjatë, hapësira e zbrazur e kopshteve të tyre, qetësia e rrugëve pa njerëz, shkolla e heshtur dhe do të dëgjohet vetëm zëri i myezinit të ri i inçizuar në altoparlantin e minaresë  (sepse edhe myezini ia ka mbathur diku midis të rinjve në diasporë) e ndonjë ulurimë ujku e ndonjë lehje qeni. Vetëm dera e madhe nuk do të hapet!

Fshatrat me shtëpi të reja rënkojnë nën peshën e heshtjes si varreza, kurse nëpër disa shtëpi brenda diku një plak e një plakë mundohen ta ndihmojnë njëri-tjetri, diku një plakë me shkop në dorë mundohet të mbledhë ndonjë kokërr mollë që ka rënë nga pema, sepse nuk del dot në dyqan. Këmbët nuk e mbajnë më. Diku tjetër është halli tjetër. Ndoshta më i vogël pak, ndoshta më i madh, por të gjitha këto fate i lidh nj pe i trashë i mëdafshtë i melankolisë.

Ndodh shpesh që pleqtë ta bisedojnë atë meselenë kur njëri e ka marrë të jatin e plakur dhe e ka çuar në mal, diku në një vend të thellë. “Mos më ler këtu, biri im”! i paska thënë plaku, “sepse këtu e kam lënë unë babin tim. Çomë më tutje”! Mirëpo e ndërrojnë shpejt bisedën, për shkak se u duket se kështu i akuzojnë fëmijët e tyre të dashur. Ata edhe në këtë gjendje si janë, në një fat ku kanë mbetur të harruar, pa dashuri, në një fat kurt para syve të tyre po tretet edhe vendlindja, ku harrohen këngët, ku zhduken toponimet dhe ku harrohet gjuha e të parëve tonë, nuk akuzojnë. Nuk akuzohet fëmija! Fëmija vetëm duhet. Fëmijët janë dashuria vetë. Dhe, shpresojnë se ajo dashuri më në fund do të trokasë në dyert e tyre dhe do të futet në dhomat e tyre. Një dashuri e fëmijës për prindërit që është pjesë e traditës sonë shekullore, një dashuri e cila do ta përzërë nga fshati a lagjja e qytetit vetminë dhe pashpresën.

Ndërkohë oxhaqet fiken një nga një. Fëmijët gjithnjë e më shumë largohen nga prindërit, nga pragu i shtëpisë ku janë lindur. Pleqve të gjorë s’iu ka mbetur gjë tjetër përveç se të presin te grilat e dritareve. Aty derdhin nga një pikë lot, jo për pozitën e hallin e tyre, por nga malli që i ka marrë për fëmijët e tyre. Pastaj e shikojnë njëri-tjetrin dhe heshtin. Dhe, në heshtje del ajo pyetja e dhembshme e tyre: kush do të na shtijë në dhè dhe kush do të na sjellë një lule te varri?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button