Në Prishtinë ka filluar forumi mbi trajtimin e rreziqeve të sigurisë Kosovë-Maqedoni

Në organizim të Fondacionit “Konrad-Adenauer-Stiftung”, Fakultetin i Sigurisë në Shkup pranë Universitetit “Shën Kliment Ohridski” – Manastir dhe Kolegji AAB në Prishtinë sot ka filluar punimet e forumit të sigurisë Kosovë-Maqedoni, ku marrin pjesë personalitete të rëndësishme të sektorit të sigurisë nga vendi dhe rajoni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Kolegji AAB,nNë hapjen e forumit, dekani i Fakultetit Juridik të këtij kolegji, Veton Vula, përshëndeti këtë iniciativë dhe theksoi se për këto dy ditë do të shtjellohen tema të rëndësishme dhe sfiduese për të dy shtetet.

Menaxheri i Programit në Fondacionin “Konrad-Adenauer-Stiftung”, Zyra në Kosovë, Granit Tërnava, tha se kjo konferencë kontribuon në thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Maqedonisë në temën e sigurisë.

“Tema e sigurisë në nivel rajonal, mbetet me rëndësi të veçantë dhe meriton sigurisht vëmendjen e të gjithë neve. Fatkeqësisht për rrethana të njohura për të gjithë, Kosova nuk arriti të fitojë anëtarësimin në Interpol, pak kohë më parë, duke pamundësuar formalizimin ndërkombëtar për vendin, i cili ka shumë të japë për sigurinë. Gjithsesi kjo nuk mund të ndalojë assesi bashkëpunimin rajon në adresimin e temave të sigurisë, dhe Maqedonia është vendi që Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin”, shtoi ai.

Ndërkaq, koordinatori nacional për reforma shtetërore në Kosovë, Besnik Tahiri, theksoi se në një dekadë shtetësi Kosova ka dëshmuar se është e përkushtuar që të ketë lidhje korrekte me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kur flasim për sigurinë ndërshtetërore dhe stabilititetin ballkanik, këto tre fjali në këtë publikim për mendimin tim janë fjalitë kyçe. E para është vullneti për të qenë serioz në zbatimin e reformave në secilin sektor të administratës së shtetit të funksioneve vitale që ka shteti, në këtë rast po flasim edhe për sundimin e ligjit dhe sigurinë. E dyta ka të bëjë vet me bashkëpunimin rajonal, me mësimin edhe nga sukseset që një shtet i Ballkanit Perëndimor i ka arritur dhe më e rëndësishmja siguria, andaj ju përgëzoj edhe për publikimin”, u shpreh Tahiri.

Zv/ministër i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, nga ana e tij, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kenë një funksion të standardizuar të sigurisë i cili duhet të jetë i vendosur në lidhje harmonike me partnerët euroatlantikë.

“Sistemi i sigurisë është njëri prej postulateve më të rëndësishme të ekzistences së shteteve, ndërsa kërcënimet me elemente penalo juridike dhe dyndjet masovike nga migracioni janë dhe mbeten test për sigurinë, shtetin juridik, sundimin e drejtësisë dhe për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe qytetarit”, theksoi Nuhiu, duke shtuar se Maqedonia dhe Kosova duhet të kenë lidhje të forta me shtetet euroatlantike.

Në këtë ngjarje ku janë përfshirë struktura akademike e profesionale nga Maqedonia, Kosova e Bosnje e Hercegovina, synohet të identifikohen mekanizmat për trajtimin e rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë.

Brenda margjinave të këtij, njofton Kolegji AAB, projekti do të analizohet dhe hulumtohet në tre fusha që mbështeten në konceptin e sigurisë në të dy vendet, reforma e sistemit të sigurisë, kërcënimet nga terrorizmi dhe luftëtarët e huaj, risocializimi, deradikalizimi dhe rritja e sigurisë përmes politikave për të drejtat e pakicave, si dhe rreziku nga ndryshimet e kufijve në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button