Sigurimi i Çavkovit kundër Ninxhas: Drejtori në orën 19:00 ka qenë në “Teknometal Vardar”, jo në VMRO-DPMNE

Nikolla Dimitrievski, ish-anëtar i sigurimit të ish-drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, në seancën e sotme për 27-prillin ku ishte i ftuar si dëshmitar theksoi se derisa ka zgjatur sulmi në Kuvend, ai së bashku me Çavkov kanë qenë në zyrën ndihmëse të drejtorit të atëhershëm që ndodhet në kompaninë “Teknometal Vardar”, selia e së cilës ndodhet në afërsi të selisë së VMRO-DPMNE-së. Kjo dëshmi është e kundërt me dëshminë e të akuzuarit Aleksandar Vasilevski –Ninxha, i cili theksoi se gjatë kohës së sulmit Çavkov ishte në katin e tetë të selisë së partisë dhe prej atje, siç theksoi ai, është komanduar sulmi i 27-prillit, transmeton Portalb.mk.

“Më 27 prill shkuam në MPB,  pritëm thirrje nga drejtori. Rreth orës 09:30 e kemi marrë nga shtëpia dhe e kemi dërguar në MPB ku deri në orën 14:00 drejtori kishte mbledhje. Pastaj shkuam te një ordinancë e dhëmbëve pas City Mall-it dhe menjëherë pas asaj kemi shkuar në qendrën tregtare dhe kemi ndenjur rreth një orë.

Prej atje kemi shkuar në Skara Bar, kemi ndenjur rreth një orë e gjysmë. Prej atje në orën 18:00 kemi shkuar në “Teknometal Vardar”. Atje kemi ndenjur dy orë. Nga zyra e “Teknometal Vardar” kemi shkuar në MPB ku kemi qenë deri në orën 23:00, ndërsa pastaj e kemi dërguar në VMRO-DPMNE ku tha se do të takohet me Todorov. Më pas e kemi kthyer në shtëpi, tha Dimitrievski.

Dëshmitari konfirmoi se gjatë gjithë kohës ishte me Çavkovin. Ai tha se deri sa kanë qenë në “Teknometal Vardar”, rreth orës 19:00 Çavkov në mënyrë telefonike ka filluar të jep urdhra te shefat e MPB-së në lidhje me ngjarjen në Kuvend.

“Deri në orën 19:00 nuk kishte zhurmë dhe nuk ishte askush. Në orën 19:00 e dëgjova se si drejtori flet në telefon. Lirisht mund të them se ka dhënë komanda. Ka biseduar me shefa. Ai kur foli me një prej tyre i dëgjohej zëri me ton të lartë, jepte komandë. Ka folur me Mitko Peshov. Me ato ka folur deri sa kemi shkuar në MPB”, tha Dimitrievski.

Pasi kanë arritur në shtabin operativ të MPB-së, Dimitrievski theksoi se Çavkov ka vazhduar të jep urdhra.

“Nuk kam qenë gjatë gjithë kohës atje, por dëgjova nga jashtë. Mund të konstatoj se pothuajse 99 për qind e komandave i ka dhënë Çavkov që më pas janë transmetuar përmes radio lidhjeve. Kjo ka zgjatur deri në orën 23:00 dhe pastaj jemi drejtuar kah selia e VMRO-së”, tha Dimitrievski.

Dimitrievski shtoi se nuk e di në cilin kat Çavkov është takuar me Todorovin.

I akuzuari Aleksander Vasilevski – Ninxha pas dëshmisë së Dimitrievskit e pyeti dëshmitarin a ka qenë Çavkov prej orës 19:00 deri 20:30 në VMRO-DPMNE dhe që të arrijë te parkingu i  “Teknometal Vardar” a duhej të kalojë nëpër garazhin nëntokësor të VMRO-DPMNE-së. Dimitrievski në të dy pyetjet u përgjigj në mënyrë negative.

Në dëshminë e tij, Dimitrievski askund nuk ka theksuar saktë se çfarë ka komanduar Çavkov, por vetëm se bisedat e tij lidhen me ngjarjen që ndodhi.

LEXO: 27 Prilli, i akuzuari e zbuloi në detaje skenarin e sulmit të përgjakshëm: DSK dhe Ninxha organizatorë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button