Shkenca sqaron fenomenin që i ndodh gati secilit: prodhimi i kujtimeve të rreme

Herët ose vonë u ndodh të gjithëve:jemi të bindur se një episod që na përket, ka ndodhur në një mënyrë të caktuar, derisa faktet nuk na përgënjeshtrojnë me forcë. Kujtesa nuk është një “arkivol” i mbyllur, por fryt i një pune të vazhdueshme të rindërtimit, dhe kujtimet e rreme janë versioni më ekstrem i këtij procesi restaurimi.

Po si formohen ato? Cilat janë situatat që i favorizojnë? Kush është më i prekur, dhe cilat janë pasojat? Nikola Mamarela, profesor i psikologjisë në Universitetin Gabriele d’Anuncio në Kieti të Italisë, ka folur për “Focus Live”.

Efekti mjegull

“Kujtimet e rreme, shkaktohen nga mekanizma të ndryshëm”- shpjegon Mamarela. “Nëse gjatë një përvoje jemi të hutuar, perspektiva nuk është e qartë, vëmendja nuk është e fokusuar, do të jetë më e lehtë që gjatë ri-evokimit të asaj ngjarje të ketë gabime.

Një rol tjetër luajnë ngjarjet që ndërhyjnë në ruajtjen e gjurmës së brendshme, ose tek ata me një angazhim të fortë emocional:një traumë, një aksident, një gjendje e fortë ankthi, do të sjellë ndryshimin apo errësimin e elementëve të skenës”.

Është pastaj faktori kohor. Nëse për shembull gjatë një marrje në pyetje, na jepet pak kohë në dispozicion, nuk do të jemi në gjendje të rikujtojmë çdo hollësi të episodit. Pastaj ekzistojnë disa efekte më delikate psikologjike, të cilat kanë pasoja të rëndësishme gjatë dëshmive pas një aksidenti, apo në sallat e gjyqit.

“Njëri është efekti i informacionit të gabuar”- thotë Mamarela.

“Në një eksperiment të famshëm mbi kujtimet e rreme, psikologia amerikane Elizabet Loftus, pyeti një grup studentësh me sa shpejtësi udhëtonin dy makina kur u përplasën me njëra-tjetrën, dhe një grup tjetër se sa shpejt ecnin pa u përplasur.

Studentët e grupit të parë, thanë se makinat po ecnin me shpejtësi më të madhe. Në një rast ajo i pyeti nëse ata kishin parë xhama të thyer, dhe vullnetarët thanë se i mbanin mend ato, edhe pse në fakt nuk kishte”.

Ndërkohë ekziston edhe procedura e shartimit të kujtimeve të rreme:ka nga ata që janë të bindur se kur kanë qenë fëmijë janë sëmurur pasi kanë ngrënë një vezë të zier, dhe do të priren të shmangin ushqimet që i përmbajnë atë, edhe pse ky fakt nuk ka ndodhur asnjëherë.

Kujt i ndodh?

Individët më të prirur ndaj kujtimeve të rreme, janë fëmijët dhe të moshuarit. Dhe kjo për shkak se ata kanë një memorie ende në zhvillim e sipër, ose që është subjekt i ndryshimit – por edhe njerëzit me një imagjinatë të gjallë, që tentojnë të pasurojnë tregimet e tyre me detaje. Ata që e humbin me lehtësi sensin e kohës ose që kanë mendime të përsëritura; ose ata që si fëmijët, preferojnë të mbështesin ata që i marrin në pyetje.

Raste të kufizuara

Pasojat mund të jenë serioze:”Mendoni për dënimet e rreme në Shtetet e Bashkuara, ku autorët e supozuar rreshtohen në një “vijë”, dhe një dëshmitari ende të tronditur, i kërkohet të kujtojë se kush ishte autori. Kjo është një situatë shumë delikate, sepse në një periudhë të stresit të madh, mjafton një sens i mjegullt i familjaritetit mbi një fytyrë, në mënyrë që të gënjehet.

Fenomeni i kujtimeve të rreme, ndikon gjithashtu në rastet e fëmijëve të braktisur në makinë: kujtesa ka një kapacitet të kufizuar, dhe në momentet e akumulimit të shumë detyrave sjell rënien e vëmendjes ndaj veprime të rutinës, duke i marrë ato si të mirëqena”. / Focus – bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button