Arta Toçi kryetare e Asamblesë së Gruas së ASH-së, lideri Sela e obligoi që ta ndalojë migrimin e të rinjve (VIDEO)

Arta Toçi është zgjedhur kryetare e Asamblesë së Gruas së partisë politike Aleanca për Shqiptarët (ASH), ku premtoi se do ta ngrit pozitën e gruas në politikë, ekonomi dhe shëndetësi. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela i ka uruar për postin, dhe e ka obliguar që Asambleja dhe partia të punojnë maksimalisht në kthimin e shpresës së të rinjve – ndalimin e migrimit në shtetet e Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Arta Toçi ka theksuar lartë rolin e grave në ASH, dhe duke njoftuar për strategjinë e përpiluar, ka premtuar se do të punojë në ngritjen e pozitës së gruar në politikë, ekonomi dhe shëndetësi.

“Ne duhet të angazhohemi për përfshirjen e grave në politikëbërje, duhet të angazhohemi për fuqizimin e grave në sferën e ekonomike, dhe gjithashtu duhet të kemi kujdes edhe për shëndetin e grave, sepse është një gjë e cila kërkon angazhim nga të gjithë ne. Unë kam përpiluar një strategji, që së bashku me ju do e realizojmë, sepse me resurset që i kemi, që i ka partia dhe asambleja jonë, ne mund t’i arrijmë të gjitha”, tha Toçi.

Lideri i ASH-së, Ziadin Sela e ka obliguar Asamblenë dhe partinë që gjatë fushatës dhe realizimit të strategjisë, të punohet në ngritjen e zërit të femrës dhe të rinisë.

“Asambleja e femrës nuk është jashtë strukturës partiake, dhe ne si Aleancë presim shumë. Nuk kemi formë tjetër më të mirë për të shpjeguar përpara njerëzve, ato të cilët s’janë pjesë e jona, por që ne pretendojmë që t’i bëjmë votues tanë, por pse jo edhe anëtarë të partisë sonë. Forma më e mirë e shpjegimit të fushatës sonë së ardhshme, me të cilin do të dalim në zgjedhje, do të jetë pikërisht zëri i femrës, gruas, i nënës, që të bisedojë me rininë, dhe me shqiptarët këtu në Maqedoni”, tha Sela.

Ai ka premtuar se Asambleja e Grave dhe partia Aleanca për Shqiptarët do të punojnë në atë drejtim, që të kthejnë shpresën te të rinjtë, se mund të zhvillohen edhe në Maqedoni.

“Prandaj Asambleja e Grave, dhe partia e ka për obligim që të kthejmë shpresën te rinia, që ta zhvillojnë jetën këtu, në trojet e tyre, dhe jo perspektivën e tyre ta shohin diku gjetkë, në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Perëndim”, tha Sela.

Nga 330 kuvendare, të pranishme janë 288.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button