Takimi Xhaferi-Ruçi: Mbështetje e Shqipërisë për Maqedoninë në ndryshimet kushtetuese

Në takimin e realizuar ndërmjet kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi sot në Shkup, është diskutuar për Marrëveshjen e Prespës, ndryshimet kushtetuese si dhe për ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedonisë. Ruçi i ka shprehur mbështetje Xhaferit për procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), njofton Portalb.mk.

“I kam shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE. Gjithashtu të dy palët kemi shprehur gatishmëri që të koordinojmë bashkëpunimin në në funksionin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë dhe Shqipërinë”, tha Ruçi.

Ndërkaq kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi ka njoftuar se seanca kthyese ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë do të mbahet në fund të vitit. Është diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit tregtar, ekonomik dhe infrastrukturor që do të mundësohet me ndërtimin e rrugës Qafë Thanë – Elbasan dhe ndërtimi i autostradës Rruga e Arbrit.

Takimi Xhaferi - Ruçi
Takimi Xhaferi – Ruçi

“Janë hapur perspektiva të reja për përparim dhe thellim të mëtutjeshëm të raportit ndërmjet dy vendeve, dhe mbështetja e mbajtjes së seancës së përbashkët kthyese deri në fund të vitit të të dyja qeverive. Për Republikën e Maqedonisë është nxitje plotësuese për hapjen e këtyre mundësive me përmbajtje kualitative me projekte të reja. Këtu do ta kisha përmendur, interesin për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e tregtisë, në veçanti lidhjen infrastrukturore dhe energjetike. Këtu bën pjesë ndërtimi i rrugës Qafë Thanë – Elbasan, si pjesë e Korridorit 8, ndërtimi i autostradës Rruga e Arbrit, dhe ndërtimi i hekurudhës”, tha Xhaferi.

Në takim është diskutuar edhe për zgjerimin e grupit nderparlamentar, për shkëmbimin e përvojave parlamentare, për ndryshimet në Parlamentin e Maqedonisë, për plotësimin e kushteve të realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe për ndryshimet kushtetuese të parapara për përdorimin e gjuhëve si dhe të emrit të Maqedonisë.

Në takim është shprehur shqetësimi për tensionet ndëretnike në Ballkan dhe ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“U shpreh shqetësimi për tensionet ndëretnike që shpesh herë nxiten në Ballkan janë artificiale dhe me prapavijë politike dhe për rritjen e tensionit politik midis Kosovës dhe Serbisë, dhe sigurisht t’ju bëjmë thirrjen për arritjen e një marrëveshje përfundimtare si garanci për stabilitetin rajonal”, tha Ruçi.

Përndryshe, vizita e parë e kryeparlamentarit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi filloi me nderime të larta shtetërore të realizuara nën patronatin e Kuvendit të Maqedonisë.

Kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka mbajtur fjalim edhe në seancë plenare.

Kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi

Ruçi  do të takohet edhe me Grupin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë dhe do të japë deklaratë për mediumet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button