Reali fitoren detyrim me Huescan, Milani me ambicie kundër Torinos

Reali i Madridit zhvillon ndeshjen e fundit larg stadiumit “Bernabeu” për vitin 2018, përpara se të zhvendoset në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të mbrojtur trofeun e Kupës së Botës për Klube. “Los Blancos” do të përballen për herë të parë në historinë e kampionatit spanjoll me një klub si Huesca, që paraqitet në ligë si skuadra nënkampione e edicionit të kaluar në Segunda Division, njofton Supersport.al.

Ekipit të Santiago Solarit për momentin i është rikthyer qetësia, për më tepër skuadra “merengues” do të zbresë në orën 16:15 në stadiumin “El Alcoraz”, pas triumfit 6-1 në Kupën e Mbretit ndaj Melilla-s, ku shënuan nga dy gola secili lojtar si Marco Asensio dhe Isco. Reali do të bëjë çmos për të përmirësuar ecurinë në kampionat, në dy ndeshjet e mbetura të këtij viti, pasi për të gjetur një rendiment më të dobët në Primera Division duhet që të kthehemi plot 17 sezone më parë, kur “Los Blancos” kishin grumbulluar vetëm 22 pikë pas 14 javëve në ligën spanjolle të sezonit 2001-02, pra një pikë më pak krahasuar me kuotën aktuale të këtij edicioni.

Nën drejtimin e trajnerit argjentinas Reali ka fituar 7 nga 8 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, ku gjithsesi përjashtim bën pikërisht transferta e fundit në Vendet Baske me Eibarin, ku ekipi “merengues” pësoi atë disfatë të turpshme 3-0, sidoqoftë 3 pikët këtë herë në Aragonë janë detyrim, duke patur parasysh që Huesca mbyll tabelën e renditjes me vetëm 7 pikë gjithsej.

Në Itali takimi i mbrëmjes është Milan – Torino. Në orën 20:30, në “San Siro”, trajneri Gattuso nuk do të ketë në dispozicion emra të tillë si Caldara, Biglia, Bonaventura, Musacchio dhe Romagnoli, sidoqoftë në “Olimpico” ndaj Lazios tekniku kalabrez kishte shumë më tepër mungesa e megjithatë ishte vërtet shumë pranë fitores. Dueli pritet me shumë interes, sepse pas 14 javëve kampionat Milani dhe Torino pozicionohen brenda gjashtëshes së parë e ndahen nga vetëm katër pikë, megjithatë vlen të përmendet gjithashtu fakti që klubi “granata” nuk fiton në këtë stadium ndaj “kuqezinjve” prej plot 33 vjetësh.

Në orën 18:00, në Gjenovë, do të luhet takimi Genoa – Spal, me “kuqeblutë” që befas numërojnë plot 9 ndeshje në të gjitha aktivitetet pa fitore, për më tepër me ish-trajnerin e përfaqësueses Cesare Prandelli në drejtim, pas eliminimit të klubit gjenovez edhe nga Kupa e Italisë, në derbin ligur me një kundërshtar si Virtus Entella.

Më herët, në orën 15:00, po në Serinë A, do të luhen gjithashtu edhe ndeshjet Udinese – Atalanta e Parma – Chievo, ndërsa në Francë takimi përmbyllës i orës 21:00 përball pikërisht dy klubet më të suksesshëm të kampionatit francez Saint Etienne – Marseille.

Në Holandë në orën 14:30 është rasti për të ndjekur duelin Emmen – Feyenoord, ndërkaq hapësirë në Supersport si gjithmonë do të ketë edhe për Bundesligën, me kampionatin gjerman që ofron fillimisht në orën 15:30 sfidën Mainz – Hannover dhe më pas në orën 18:00 duelin Gladbach – Stuttgart.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button