Paris, 481 të ndaluar në prag të protestave

Është rritur në 481 numri i personave të ndaluar në prag të protestave që do të mbahen nga “jelekët e verdhë” në kryeqytetin e Francës, Paris, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave franceze thuhet se 481 persona janë ndaluar para protestave të “jelekëve të verdhë” të cilët po protestojnë kundër rritjes së taksave të derivateve dhe kushteve të përkeqësuara ekonomike.

Janë marrë masa të gjera të sigurisë, në mënyrë që të mos të përsëriten incidentet e dhunës së javës së kaluar.

Në gjithë shtetin janë vënë në detyrë 89 mijë policë. Për sigurinë në Paris janë angazhuar 8 mijë policë dhe 12 automjete të blinduara.

Protestuesit në rrugën Champs- Elysees shpalosën pankarta “Dorëheqje për Macronin”.

“Paralizohet” jeta në Paris

Zyrtarët francezë po shqetësohen për mundësinë e përsëritjes së incidenteve të dhunës që ndodhën në protestat e javës së kaluar, si plaçkitja e dyqaneve, thyerja e dritareve, vënia e zjarrit të automjeteve dhe disa ndërtesave.

Protestat kanë ndikuar në jetën e qytetarëve, dyqanet dhe restorantet në Rrugën Champs-Elysees janë mbyllur, kurse edhe muzetë në afërsi të kësaj rruge janë mbyllur. Edhe programet në ndërtesat e Operave Garnier dhe Bastille në Paris janë anuluar.

Është shtyrë edhe ndeshja e futbollit, e cila planifikohej të luhej në kryeqytet mes Paris Saint-Germain (PSG) dhe Montpellier.

Poashtu edhe Kulla e Ajfelit, që është një nga simbolet e Parisit, do të jetë e mbyllur për shkak të protestave.

Si pasojë e protestave një numër i madh i rrugëve dhe lagjeve përreth Bulevardit Champs-Elysees janë mbyllur për trafikun.

Protestat e “jelekëve të verdhë”

Protestat që filluan në Francë më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, u kthyen në protestat më të dhunshme në vitet e fundit.

Protestuesit, të cilët përbëhen nga njerëz që banojnë kryesisht në zonat periferike për shkak të çmimeve të shtrenjta, kërkojnë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, të ul taksat dhe të përmirësojë kushtet ekonomike.

Po ashtu për shkak të protestave, shumë restorante, lokale dhe dyqane në bulevardin Champs-Elysees dhe në zona të tjera u mbyllën, duke shkaktuar një dëm prej 3 deri në 4 milionë euro.

Më herët u njoftua anulimi i rritjes së çmimeve të karburanteve për vitin 2019.

Paris, policia ndërhyn me gaz lotsjellës ndaj “jelekëve të verdhë”

Policia ka filluar të ndërhyjë me gaz lotsjellës ndaj “jelekëve të verdhë” në rrugën Champs- Elysees të Parisit në Francë.

“Jelekët e verdhë” të cilët po protestojnë kundër rritjes së taksave të derivateve dhe kushteve të përkeqësuara ekonomike, kanë filluar të mbledhen në rrugën Champs-Elysees, e cila është një nga simbolet e Parisit.

Kohë pas kohe ndodhin tensione mes “jelekëve të verdhë” dhe policisë.

Policia ka filluar të ndërhyjë me gaz lotsjellës ndaj “jelekëve të verdhë”.

Para fillimit të protestave, policia ka ndaluar 481 persona, te të cilët gjatë kontrolleve janë gjetur çekiçë dhe gurë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button