Maqedoni, duhen masa radikale për një mjedis më të pastër

Problemi i ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, ka aktualizuar sërish çështjen e zgjidhjes së këtij problemi, ndërsa Shkupi përsëri u gjet ndër qytetet më të ndotura në Evropë.

Cilat janë problemet mjedisore që janë faktorë më të mëdhenj që shkaktojnë këto probleme dhe cilat janë zgjidhet e përshtatshme për tejkalimin e tyre janë pjesë e temave për të cilat në një intervistë për Anadolu Agency (AA) foli Arianit Xhaferi, aktivist mjedisor dhe kryetar i Lëvizjes “Eco Guerilla” nga Tetova, i cili ka punuar në mënyrë aktive në fushën e ekologjisë në 5 vitet e fundit.

Xhaferi thotë se problemet e mjedisit janë të vjetra dhe për shumë kohë tashmë vonohen. Siç thekson ai, ndotja e ajrit është problemi më i madh në Maqedoni.

Qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova një vit më parë ishin në top listën e qyteteve më të ndotura në Evropë, së bashku me Sarajevën, Tuzllën dhe Prishtinën. Ky problem i madh, sipas aktivistit mjedisor, Xhaferi, ka ekzistuar në vend një kohë të gjatë dhe i njëjti është duke u përkeqësuar për shkak të menaxhimit të dobët të mbetjeve dhe deponive ilegale.

Për këtë çështje, beson Xhaferi, ende nuk është gjetur një zgjidhje adekuate që duhet të zgjidhë këtë problem.

“Sipas disa analizave dhe studimeve të bëra nga Instutiti finlandez, kontributi më i madh ndaj ndotjes në Shkup është të paktën industria. Pra, ka impiante të mëdha industriale që nuk plotësojnë standardet mjedisore. Si të tilla, ata ndotin masivisht. Ndër të tjera, familjet që janë pjesë e tyre ngrohen me dru apo qymyr, ka familje që kanë vështirësi më të mëdha financiare dhe ngrohen me goma ose ndonjë gjë tjetër… Po ashtu, edhe transporti mund të renditet këtu, një numër i madh i automjeteve janë të vjetra”, thotë Xhaferi, duke theksuar këtu edhe deponitë për të cilat thotë se nevojitet të ketë një zgjidhje sistematike për të gjitha.

Ai thekson se problemi i mosfunksionimit të stacioneve të matjes së cilësisë së ajrit në disa qytete në Maqedoni duhet të zgjidhet, edhe pse siç thotë ai, nuk nevojiten stacione matëse për të parë se ajri është i ndotur. Sipas tij, Maqedonia si nënshkruese e “Konventës së Aarhusit”, është e detyruar t’i informojë qytetarët për cilësinë e ajrit, edhe atë në kohë reale çdo ditë.

Xhaferi beson se në vend nevojiten më shumë stacione matëse, duke treguar se qytetet më të mëdha duhet të kenë më shumë stacione matëse. Ndër të tjera, ai thotë se matjen e cilësisë së ajrit duhet ta bëjë një trup i pavarur, që parashikohet me ligj.

Duke shjeguar se Maqedonia si nënshkruese e “Konventës së Aarhusit” u zotua t’u mundësojë qytetarëve të përfshihen në vendimmarrje dhe qasje në drejtësi, edhe pse sipas tij, vendi nuk ka përparuar në qasjen në drejtësi, Xhaferi thekson se në Maqedoni deri më tani vetëm një rast i ndotjes së ajrit është regjistruar. Rasti që ka marrë vendimin e gjykatës është kur për shkak të një supermarketi në Gjevgjeli ndoteshin tre shtëpi.

“Ndotja e ajrit nuk është problem lokal”

Për bashkëpunimin me organizatat mjedisore dhe lëvizjet në rajon, aktivisti i Lëvizjes “Eco Guerilla” thotë se ka kontakte me organizata të tilla nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ai thotë se me këto organizata ndajnë informacione dhe se janë të gatshëm që këtë bashkëpunim ta zgjerojnë në kontakte të drejtpërdrejta me ndarjen e njohurive praktike.

“Ndotja e ajrit nuk është një problem lokal, ajo duhet trajtuar në mënyrë të përbashkët dhe patjetër që i gjithë rajoni të bëjë më shumë në atë që quhet ‘Parisi 2020’ (Marrëveshja për të luftuar ndryshimet klimatike) t’i reduktojmë emisionet e dëmshme me 20 për qind dhe të prodhojmë energji elektrike me burime të rinovuara. Në Maqedoni dhe Kosovë, pjesa më e madhe, 90 për qind e enegjisë elektrike prodhohet nga qymyri që është ndotje shumë e keqe dhe e madhe”, deklaron Xhaferi.

Toka e kontaminuar, uji dhe ajri i ndotur, sipas mendimit të tij, kontribuojnë në uljen e fuqisë ekonomike të vendit, sepse në masë të madhe vendi prodhon dhe eksporton prodhime në vendet e Evropës Perëndimore. Duke mos zgjidhur problemet mjedisore, Xhaferi thekson se qytetarët dhe shteti do të mbeten të varfër, për shkak se nuk do të kenë asgjë cilësore për të ofruar në tregjet evropiane.

Për këtë qëllim, ky aktivist i mjedisit tha se është me rëndësi që Bashkimi Evropian të dërgojë një sinjal në Maqedoni për rëndësinë e adresimit të problemit të ndotjes së ajrit.

Ndër të tjera, gjatë bisedës Xhaferi bën të ditur se Lëvizja “Eco Guerilla” bashkëpunon me institucionet shtetërore në fushën e të cilës janë çështjet mjedisore.

Shpesh herë, thotë ai, ndodhë që institucionet t’i pranojnë masat e tyre që i propozojnë për të adresuar disa probleme mjedisore, por thekson se është një çështje tjetër se sa këto rekomandime vihen në përdorim nga institucionet kompetente.

Në vend të rekomandimeve, thotë Xhaferi, nevojiten masa që janë të nevojshme për t’u zbatuar, sepse kur masat bëhen rekomandime, ato varen nga vullneti i qytetarëve dhe shpesh ndodhë të mos respektohen.

“Ekologjia është jetë”

Rëndësia e problemeve të natyrës ekologjike, sipas Xhaferit, shihet në atë që dëmi që i shkaktohet mjedisit nuk mund të kompensohet, andaj, thotë ai, mjedisi është diçka që duhet të paraqesë luks.

“Ekologjia është jetë. Këtë duhet ta kuptojnë po ashtu të gjithë qytetarët vetëdijen e të cilëve ne duam ta rrisim çdo ditë, por edhe politikanët. Në veçanti, duhet të punojmë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin e politikanëve më shumë se të qytetarëve, për shkak se ata që marrin vendime duhet ta dinë rëndësinë e problemit”, thotë Xhaferi.

Gjatë bisedës, ai informoi se Eco Guerrilla si organizatë në vitet e fundit ka punuar për të rritur vetëdijen publike për rëndësinë që kanë problemet e sferës së ekologjisë, dhe se ato janë kyçe për mbijetesën e njeriut dhe natyrës dhe cilësinë e përgjithshme të jetës së njerëzve.

“Ajo që mbetet për t’u bërë është edukimi i qytetarëve se si të mos jenë ndotës. Është shumë e lehtë të protestosh kundër një ndotësi tjetër, por çfarë bën secili prej nesh? Projektet e tilla edukative janë shumë të nevojshme. Ne punojmë në edukimin e qytetarëve të rinj të cilët duhet të dinë se kanë nevojë të mbrojnë mjedisin dhe si të mos e ndotin”, theksoi Xhaferi.

Ai shton se është e rëndësishme që institucionet kompetente të ndëshkojnë sjelljet e papërshtatshme të qytetarëve në raport me mjedisin.

Aktivisti i ekologjisë thotë se është e rëndësishme që çdo qytetar i Maqedonisë, por edhe më gjerë, ta kuptojë rolin e tij në ruajtjen e mjedisit dhe avancimin e tij. Sipas tij, përgjegjësia për ruajtjen e mjedisit është edhe e autoriteteve, por edhe e vetë qytetarëve.

Në këtë kontekst, ai vlerëson se për institucionet kompetente, është më e rëndësishme që ato të mundësojnë funksionimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin konsekuent të ligjeve.

“Nevojiten masa radikale, jo kozmetike”

Ndarja e 1,5 milionë eurove në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm për menaxhimin e ndotjes së ajrit, thotë Xhaferi, konsiderohet e pamjaftueshme, ndërsa thekson se me shumë gjasë do të vërehet nevojë për ndarjen e më shumë fondeve për problemin e ndotjes së ajrit. Sa i përket masave të propozuara nga qeveria për të trajtimin e këtij problemi, ai thotë se ato duhet të zbatohen vazhdimisht për të ndier efektet e tyre.

“Masat që i propozojnë, nëse nuk zbatohen, janë të kota. Masat duhet të jenë më radikale dhe jo kozmetike. Duhet të ketë masa radikale dhe ndryshime radikale për të pasur një mjedis më të mirë dhe më të pastër. Nëse qeveria duhet të ndihmojë bizneset dhe fabrikat, le të bëjnë një gjë të tillë, por le të shohin nëse përdoret zgjidhje e përshtatshme”, thotë Xhaferi.

Rasti “Jugohrom”

Lëvizja ‘Eco Guerrilla’ përgjatë viteve ka luftuar në mënyrë aktive kundër problemit të ndotjes enorme të ajrit në Tetovë, për çka organizoi protesta në të cilat morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, që më vonë kontribuan që Qeveria e Maqedonisë të marrë vendim për mbylljen e kombinatit “Jugohrom”, pasi ishte ndotësi më i madh. Tani, Xhaferi thotë se Tetova ka ajër 60 për qind më pak të ndotur.

Sipas tij, 1,5 milionët e ndara nga qeveria për “Jugohromin” për vendosjen e filtrave ekologjike nuk janë të mjaftueshme, sepse, sipas disa informacioneve, ato nuk janë të mjaftueshme, por të nevojshme janë 12 milionë euro dhe dy vjet për vendosjen e filtrave të përshtatshme. Organizatat ekologjike duan ekzistimin e një organi të pavarur për mbikëqyrjen e procesit në mënyrë që të jenë të sigurtë që vendosja e filtrave do të jetë në përputhje me rregullat dhe standardet ligjore.

Shkatërrimi i shëndetit për shkak të problemeve mjedisore

Sa janë serioze çështjet që shkaktojnë probleme të pazgjidhura mjedisore, sipas Xhaferit flet edhe migrimi i të rinjve të cilët nuk emigrojnë vetëm për shkak të arsyeve ekonomike, por edhe për shkak të dëshirës për përmirësimin e përgjithshëm të cilësisë së jetës, përfshirë edhe mjedisin.

Në këtë kuptim, nuk reduktohet as edhe numri i të sëmurëve nga sëmundjet e ndryshme, të tilla si sëmundjet e frymëmarrjes.

Xhaferi shpjegon se Instituti i Shëndetit Publik të Maqedonisë publikoi të dhëna sipas të cilave gjatë punës së kombinatit “Jugohrom” në Tetovë numri i fëmijëve të moshës 0-6 vjeç, të cilët vuanin nga sëmundjet e frymëmarrjes, arriti në mbi 23 mijë raste, ndërsa tani pasi ky kombinat nuk punon, thotë ai, kjo shifër është 17 mijë.

Ky aktivist i mjedisit thotë se është një shenjë e mirë që reduktohet kjo shifër, por shenjë e keqe, sipas tij, është se problemi ende ekziston.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button