Kushtet në shkolla: Prindërit kërkojnë kuadro profesionale, shkelet ligji, stërngarkohen shkollat

Mungesa e kuadrove profesionale është një nga shkaqet pse disa shkolla fillore në Shkup ballafaqohen me numër të madh të nxënësve dhe mungesë të hapësirave, shkruan Portalb.mk. Prindërit kërkojnë mësimdhënësit që punojnë më shumë me fëmijët e tyre, i regjistrojnë ata në shkolla që nuk i përkasin vendbanimit të tyre, duke mos pasur parasysh ligjin i cili e ndalon këtë. Drejtorët nuk i refuzojnë të njëjtit duke stërngarkuar kështu shkollat.

Drejtori i shkollës fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, Enis Memeti, sqaron për Portalb.mk  se për shkak të kuadrit dhe kërkesës së prindërve për t’i regjistruar fëmijët në këtë shkollë, një paralele tejkalon numrin e përcaktuar me ligj, që është 34 nxënës.

“Ne kemi kuadrin e mirë dhe prindërit vrapojnë që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën tonë te mësimdhënësit më të mirë”, shtoi Memeti.

Gjithashtu edhe drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali”, Burbuqe Ymeri tha për Portalb.mk se një nga arsyet e kërkesës së madhe të prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët në këtë shkollë është edhe suksesi i mësuesve në mësimdhënie.

“Në këtë shkollë pothuajse çdo paralele është në kufi apo tejkalon numrin e lejuar me ligj të nxënësve në një klasë dhe një nga arsyet është edhe shtimi i popullatës në këtë zonë të Çairit, por gjithashtu edhe i kuadrit të kualifikuar dhe të suksesshëm në punën që e bëjnë”, tha për Portalb, Ymeri.

Udhëheqësit e shkollave nuk i refuzojnë kërkesat e prindërve duke stërngarkuar kështu shkollat.

Prindërit arsyetohen se mungesa e mësimdhënësve adekuat bën që disa shkolla të kenë numër të madh të nxënësve.

“Kam dëgjuar se një mësuese në këtë shkollë është shumë e mirë dhe e suksesshme, punon me fëmijët, dhe klasa e saj ka sukses andaj dua që fëmija im të ndjek mësimin në atë klasë. Shumica e mësimdhënësve janë futur në punë me parti dhe nuk janë adekuat për të dhënë mësim, madje disa prej tyre edhe shumë keq flasin dhe shprehen dhe si do të më mësojnë fëmijën tim? Të flet ashtu në zhargone? Prandaj zgjedhim mësimdhënësin dhe ndoshta tejkalohet numri i nxënësve”, thonë prindërit dhe banorët e lagjeve shqiptare, që dërgojnë fëmijët në këtë shkollë.

Profesori universitar Avzi Mustava, thotë për Portalb.mk se prindërit si kurrë më parë bëjnë përzgjedhjen e arsimtarëve, pasi që sipas tij disa nga mësimdhënësit nuk punojnë sa duhet me nxënësit.

“Me gjithë respektin që kam për mësuesin dhe arsimtarin, për fat të keq ka edhe arsimtarë që janë të rastit dhe këtu vijmë deri te ajo që shumica e prindërve i orientojnë fëmijët tek ata arsimtarë të cilët tregojnë rezultat më të madh. Kjo është një prej atyre shkaqeve që unë mendoj se çdo prind është i interesuar që fëmija i tij të jetë te një mësues i cili do ta mësojë edukojë dhe tani si kurrë më parë prindërit janë më shumë të interesuar që të bëjnë përzgjedhjen e arsimtarëve kështu që ato i drejtojnë tek ata mësues që ju ka dalë zëri që janë mësues të mirë dhe  kërkojnë me këmbëngulje që t’i regjistrojnë në ato klasa, dhe prandaj klasat e atyre mësuesve që nuk punojnë shumë, nuk kanë afërsi me nxënësit ngelen të zbrazura”, tha për Portalb, Mustafa.

Ai sqaron se MASH duhet të organizojë më shumë seminare dhe projekte për avancimin e arsimit, por jo të bëjë organizimin e seminareve ne hotele e salla por të bëhet trajnimi në klasë, në shkollë.

“Ne kemi bërë reforma të jashtme asnjëherë reformë të brendshme.  Në këtë kohë mendoj se duhet sa më parë të merren hapa që të bëjmë reforma të brendshme, të kërkojmë metoda, forma më të mira mësimore, ku kërkohet që nxënësi të jetë më i angazhuar në orë, nëpërmjet mënyrës grupore, mësimit interaktiv. MASH duhet të organizojë seminare dhe trajnime, por jo në hotele, por në shkollë, në klasë, aty ku  drejtpërdrejt do të jetë edhe nxënësi edhe arsimtari”, tha Mustafa.

Prindërit kërkojnë që:

Të bëhet seleksionimi i duhur i mësimdhënësve në bazë të aftësive dhe jo librezës partiake

Politika të heq duart nga arsimi

MASH, Inspektorati dhe komuna të bëjë më shumë kontrolle për zhvillimin e mësimit në shkolla

Çdo prind që ka ankesa për ndonjë parregullsi në shkollat fillore të Maqedonisë, mund të paraqet rastin te këto sektorë dhe persona përgjegjës pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës :

  1. Sektori për arsimin fillor

Sektori për arsim fillor përfshin dy njësi dhe atë:

-Njësia për arsim fillor

-Njësia për financimin e arsimit fillor dhe zhvillimin e karrierës

Udhëheqëse sektori:

Elena Ivanovska +389 2 3117 896 [email protected]

  1. Sektori për standarde të nxënësve dhe studentëve

Në këtë sektor ka dy njësi:

-Njësia për standard të nxënësve dhe

-Njësia për standard të studentëve

Përgjegjësit e këtyre sektorëve janë:

Qenan Sali +389 2 3117 896 [email protected]

dhe

Xhemile Idrizi  +389 2 3117 896 [email protected]

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button