Annegret Kramp-Karrenbauer zgjidhet pasardhëse e Merkelit

Kandidatja e preferuar e kancelares gjermane Angela Merkel, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka fituar garën për udhëheqjen e partisë në pushtet Unioni Kristian Demokratik (CDU), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një garë të ngushtë, politikanja konservatore 56-vjeçare fitoi 517 vota nga delegatët e CDU-së, në një kongres të partisë në Hamburg.

Rivali i saj kryesor, Friedrich Merz, një kritik i hapur i politikës liberale të Merkelit ndaj refugjatëve, siguroi 482 vota.

Më herët gjatë ditës, Kramp-Karrenbauer u bëri thirrje delegatëve të CDU-së të jenë më të guximshëm dhe të sigurt për të trajtuar sfidat e shekullit të 21-të, për të forcuar Bashkimin Evropian dhe për të mbrojtur “rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

Merz, nga ana e tij, kritikoi politikën e “dyerve të hapura” të Merkelit për refugjatët dhe bëri thirrje për një “fillim të ri” në CDU, me një strategji të re për çështje të ndryshme politike.

Ai premtoi të rikthejë votuesit e CDU-së që kanë kaluar në partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Merkel, e cila udhëhoqi kristian-demokratët për 18 vjet, njoftoi në tetor se nuk do të kandidojë për postin e kryetares pas humbjeve të mëdha të partisë së saj në zgjedhjet rajonale.

Megjithatë, Merkel ka theksuar se do të mbetet kancelare deri në përfundimin e mandatit të saj në vitin 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button