Regjistrimi i popullsisë pa grafë etnike lë hapësirë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës

Nëse gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe Kushtetuta e Maqedonisë, shkruan Portalb.mk.

Jeton Shasivari
Jeton Shasivari

Profesorët i thirrin partitë politike që të insistojnë për grafën etnike dhe fetare, pasi që nëse nuk bëhet evidentimi i tillë, atëherë do të ketë pasoja si në aspektin juridik-kushtetues, ashtu edhe në aspektin social.

“Partitë politike shqiptare duhet të insistojnë për grafën etnike dhe fetare të regjistrimit të popullsisë sepse regjistrimi nuk është vetëm një operacion i thjeshtë statistikor, por një proces me implikime juridike, politike, shkencore, zhvillimore, ekonomike, kulturore, sociale. Prandaj, çdo gjë ndryshe nga kjo, do të rrezikonte dështimin e regjistrimit të paralajmëruar sikurse që dështoi ky proces në vitin 2011, sepse të dhënat e tij do të ishin të luhatshme dhe jo të besueshme. Kjo aq më tepër kur, nga njëra anë, ekzistojnë vlera kushtetuese dhe ligjore si dhe të drejta individuale dhe kolektive, funksionimi dhe realizimi i të cilave ndërlidhet ngushtë me përqindjen e komuniteteve etnike, siç janë: gjuha, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, etj., ndërsa nga ana tjetër, Kushtetuta e vendit në dispozitën e nenit 48  ua garanton pjesëtarëve të komuniteteve të drejtën që lirisht të shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin dhe veçoritë e tyre, me çrast Republika ua garanton të gjitha komuniteteve mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar”, thotë profesori universitar i të drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari.

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti

Por, nëse nuk do të kemi numra të përfaqësuesve etnik në shtet, pasojat do të jenë edhe në aspektin social.

“Patjetër se do të ketë pasoja të karakterit social sepse shteti ynë, si pasojë e diskriminimit me dekada ka zgjedhur një model të aritmetizimit apo proporcionalizimit të çdo segmenti institucional, që neve shqiptarëve ex lege na mundëson të përfaqësohemi aq sa jemi, gjë që edhe avancon edhe kufizon (në të ardhmen) nëse kemi kuadro mbi përqindjen që jemi. Tani de-etnizimi i regjistrimit nënkupton mjegullim të përfaqësimit sepse nuk dihet kush sa është, bëhet një operacion shumë i rrezikshëm, ndonëse e kemi diagnozën të qartë. Shoqëria qytetare mund të ndërtohet jo duke i fshirë ngjyrat etnike, jo duke u denacionalizuar qytetarët por duke ju dhënë mundësi të barabarta”, thotë profesori universitar dhe sociologu Ali Pajaziti.

Parimi i përfaqësimit të drejtë në Maqedoni, pjesë e MKO-së dhe Kushtetutës

Për përfaqësim të drejtë dhe proporcional të bashkësive etnike në vend nëpër institucione, duhet të ekzistojnë numra zyrtar, sipas të cilave do të bëheshin punësimet. Por, ligji në fjalë këtë nuk do ta sigurojë.

Edhe pse autoritetet janë arsyetuar me atë se përkatësinë etnike do ta mësojnë nëpërmjet gjuhës që ata flasin, megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme, pasi që sipas sociologut Pajaziti, është absurd sociologjik që një shqiptar të cilësohet shqipfolës dhe jo shqiptar.

“Absurd sociologjik është që unë të cilësohem shqipfolës e jo shqiptar. Atëherë relativizohet skjashmërisht etnia dhe në bazë të gjuhëve që di del se duhet të cilësohem edhe si anglez, boshnjak, turk… Çmenduri! Nëse ndodh kjo do të kalohet në një lëmsh që s’i gjendet fundi. Kujt do t’i akordohen të drejtat e parapara me 20%-in famoz? Ky është një hap drejt ndërtimit të një kombi të ri qytetar, inekzistent, një eksperiment social që hap mundësi lojërash me numra të paverifikuar zyrtarisht dhe që e varros MKO-në”, thotë profesori Pajaziti.

Mungesa e numrave zyrtar të përkatësive etnike, do të krijojë hapësirë që të shkelet parimi i Marrëveshjes së Ohrit për përfaqësim të drejtë dhe amendamenti VI i Kushtetutës që thirr në atë se të gjitha bashkësitë etnike duhet të jenë të barabarta në aspektin e përfaqësimit në të gjitha nivelet në shtet.
Sipas marrëveshjes, ky parim do të aplikohet sidomos në raport me punësimet në administratën publike dhe në ndërmarrje publike, si dhe te qasja deri te financimi publik për zhvillimin e aktiviteteve afariste.

Marrëveshja e Ohrit
Marrëveshja e Ohrit

“Në ligjet me të cilët rregullohen punësimet në administratën publike do të përmbahen masat me të cilat do të sigurohet përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe, duke respektuar njëkohësisht rregullat e kompetencës dhe integritetit, me të cilët udhëhiqet administrata publike”, thuhet në Marrëveshjen e Ohrit.

Por edhe Kushtetuta e Maqedonisë thërret në përfaqësim të drejtë, gjegjësisht në Amendamentin VI thuhet që në të gjitha nivelet të gjithë bashkësitë duhet që të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

“Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve, të cilët u takojnë të gjitha bashkësive, në organet e pushtetit shtetërorë dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet”, thuhet në Amendamentin VI të Kushtetutës së Maqedonisë.

Kushtetuta e Maqedonisë
Kushtetuta e Maqedonisë

Nëse në të ardhmen, në këtë kontekst shkelet Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit, atëherë mund të merret si arsyetim regjistrimi, në të cilin nuk është bërë evidentimi i përkatësive etnike, i cili për shtetin tonë multietnik është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Për regjistrimin janë planifikuar të harxhohen 522.751.000 denarë, ose mbi 8.1 milion euro.

Në këtë fazë, deri më 19 dhjetor, të gjithë kanë të drejtë të japin sugjerime dhe vërejtje për propozim-ligjin, që gjendet në sistemin ENER.

Pas kësaj, i njëjti do të duhet të dorëzohet në Qeveri për miratim, ndërkaq më pas nëse Qeveria e miraton dërgohet për procedurë parlamentare.
Regjistrimi i fundit i popullsisë Maqedoni u realizua në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por nuk u realizua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button