Kur hidhërohen prometejët

Faik Konica dhe Fan Stilian Noli ishin dy shqiptarët më të ditur të kohës së tyre, ndoshta të pakalueshëm edhe në kohërat e mëpastajme.

Ata e sprovuan veten në shumë fusha të dijes dhe të jetës kulturore, letrare, shoqërore e politike. Ata qenë veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të politikës, njohës të mëdhenj të letërsisë dhe arteve përgjithësisht, njohës të historisë dhe të politikës…, gazetarë, publicistë e botues, krijues eruditë e poliglotë të pashoq, enciklopedi të gjalla…, autorë poezishë, tregimesh, novelash, dramash, eseshë, monografishë, veprash historike e muzikologjike…

Që të dy patën mundësi të jenë të famshëm edhe në përmasa globale, po, shkaku i përkushtimit ndaj detyrave kombëtare, nuk arritën të realizohen në plotni dhe në pajtim me talentin që posedonin. Konica deshi ta lërojë shkëmbin…, kurse Noli e synoi të njëjtën, i bindur se lirinë e sjella drita e mëndjes, jo druri… Ata jetuan në një kohë kur prometejët e kombit shisnin çifliqet për Shqipërinë shtet, pa e ditur se do të vijë dita kur të tjerë do ta shesin Atë për çifliqe…

Konica dhe Noli, një kohë të gjatë ishin miq dhe një kohë të gjatë armiq të përbetuar ideshë e konceptesh që lidheshin me mënyrën e bërjes së Shqipërisë. Noli e synonte atë me udhë violente, kurse Konica ishte kategorikisht kundër revolucioneve, që, siç dihet: në fund hanë fëmijët e vet.

Pra: për shkak të udhëve të ndryshme nëpërmjet të cilave u përpoqën ta bëjnë Shqipërinë shtet dhe shqiptarin të aftë për ta ruajtur Atë të pacënuar në shekujt që pasojnë, dy liberatorët kanë polemizuar me zjarr dhe kanë thumbuar njëri-tjetrin me fjalët më sarkastike, por nuk janë urrejtur ndërmjet tyre, sepse i takonin të njëjtit univers, sepse e kuptonin mirë gjuhën dhe shpirtin e njëri tjetrit…

Megjithatë, mes “fajeve” me të cilat u justifikua përjashtimi i Konicës nga kultura shqiptare përgjatë një gjysëm shekulli, atij iu ngarkua edhe mëkati për prishjen e miqësisë me shokun e idealit – Fan Nolin.

Të shpalojmë pak të dhënat që na jep Konica për ta kuptuar se raportet e tyre nisën të prishen në vitin 1922, kur Noli, braktisi programin dhe shokët e VATRËS që kishin arritur pajtimin se: Shqipëria s’munt të qëndrojë më këmbë pa një diktator dhe që Zogu duket njeriu i duhur për këtë rol, sepse Zogu, gjthnjë sipas Konicës: përveç zotësisë, kish dhe katër të mira që i mungonin Esadit: kuptimin e ndodhjes së re në Shqipëri pas ndarjes nga Turqia, ndjenjën e kombësisë, të mos bërët ndryshime në mes Toskësh e Gegësh, dhe më në funt dëshirën për të parë Shqipërinë në shkallë Shteti t’organizuar.

Konica duket i sinqertë kur, në tri pika, e sqaron me detaje punën e ndarjes nga Noli:

  • Noli, unë, me Vatrën dhe me shokët, që më 1914 gjer më 1922, kush më shumë e kush më pakë kemi mprojtur mendimin se Shqipëria, që të shtrohet, që të stabilizohet, e të hyjë në udhën e reformave e të qytetërimit, ka nevojë për një dorë të hekurt dhe se ajo dorë është Ahmed Zogu.
  • Fan Noli, nënë influencën e Gurakuqit, dhe më vonë nën influencën e frymës bolshevike, u-bind dhe na bindi se Shqipëria munt të qëndrojë më këmbë pa Zogun dhe kundrë Zogut. Ngjarjet i dhanë përgënjeshtrimin më të plotë, dhe Shqipëria u-shpu një qime afër varrit.
  • Unë me shumicën e shokëve u-kthyem ahere (ndonëse me çape të ngadalshme, se na vinte keq të çkëputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjetër i përmbledhur më sipër nënë numrin 1, kurse Fan Noli u-fut thellë në rebelione kundrë Shtetit e n’intriga revolucionare.

Siç dihet, Konica druajti gjatë tërë jetës nga shtrirja e sllavëve në territoret shqiptare dhe çdo gjë që vinte nga Rusia e shihte me dyshimet që koha i vërtetoi si të sakta. Noli, ndërkaq, vazhdonte simpatinë për bolshevizmën, sepse e konceptonte atë si udhën e shpëtimit të kombit.

Më tej Konica shkruan se Noli dhe shokët e tij ndihmohen nga rogat bolshevike të lidhura nga Rusia, madje përmend shifra konkrete. Shkruan edhe për kërkesën e guvernës bolshevike për dërgimin e 10 djemve që do të ndiqnin shkollën e veçantë të Moskës që formojnë agjentët e bolshevizmës… Sipas Konicës: Planet e rusëve për në Ballkan duket të jenë këto: të formuarit e një grupi Bolshevik në çdo Shtet, dhe me anë të këtij grupi të kundërshtuarit e çdo guverne të sotme dhe të diskredituarit e çdo njeriu që ka pak’ a shumë influencë mi popullin dhe që e përdor atë influencë për të mbrojtur kanunin, regullën dhe qetësinë… Sa për gjakun që do të derdhet, çurkë dhe më kot, aq’ u bën rusëve…

Sa për të kuptuar kulturën politike dhe largpamësinë e Faikut dhe për të demantuar tahufët që e akuzojnë Atë si diletant në fushën e politikës…, po sjellim një paragraf përplot fakte të dëshmuara më pas nga koha: Propaganda bolshevike ësht’ e rezikshme, se turmës së padjallëzuar, e cila nuk thellon, bolshevisma i duket si zgjidhja e gjithë mundimeve ekonomike që heq. Kujton se bolshevizma ësht’ ilaçi i panjohur dhë i çuditshëm që ka për të shëruar çdo sëmundje. Të zgjuarit nga ky gjumë budallenjsh do të jetë shumë i hidhur për Shqipëtarët, të cilët do të bëhen skllev pa atdhe dhe pa bukë, të shkelmuar e të shkelur nga të huajt…

Kuptohet, ky fakt nuk mund të hedh dyshim në figurën e Nolit, sepse ai, si gjithë atdhetarët e tjerë të kohës, kërkonte udhët më të sigurta dhe më të besueshme për formimin e njësisë së kombit unik dhe shtetit stabil shqiptar. Fundja, ai përakrahu në zanafillën e saj një ide të shtrirë më pas në nivel planetar dhe të dështuar po në këtë nivel…

Nga e sipërthëna mund të kuptohet se në raportet përkohësisht të prishura mes Konicës e Nolit nuk duhet kërkuar mëkate të pafalshme. Absurdin e tendencave të tilla denigruese ndaj Konicës, tek i cili, për paradoks, vazhdon të kërkohet fajtori për gjithçka që ka ndodhur një herë e një kohë, më së miri e zbërthen vetë Noli në fjalën funerale të mbajtur mbi varrin e mikut të tij – Faik Konicës, ku, mes tjerash, kërkoi që gjërat e papëlqyeshme të konsiderohen:  të shkuara e të harruara…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button