Debati për draft-amendamentet, akademiku Fiti kërkon që të arrihet kompromis me Greqinë për emrin e ASHAM-it (VIDEO)

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë është zhvilluar edhe dita e tretë e debatit publik për draft-amendamentet kushtetuese që parashihen me Marrëveshjen e Prespës, transmeton Portalb.mk.

Akademiku Taki Fiti ka kërkuar që debati i sotëm të fokusohet në gjetjen e një zgjidhjeje dhe kompromisi se si Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë të mos e ndryshojë emrin siç parashihet me Marrëveshjen e Prespës, dhe të quhet “Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase”.

“Neni i parë i Marrëveshjes jep indikatorë se do të duhet të ndryshohet emri i disa institucioneve të rëndësishme në Maqedoni, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë. Institucionet shtetërore duhet të emërtohen me referencë mbiemri të shtetit, d.m.th. Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase, ka Akademi Serbe, Akademi Franceze, Akademi Austriake, Akademi Bullgare, dhe kështu me radhë. Për shembull e kemi Institutin e Gjuhës Maqedonase, si ajo do të ndryshohej? Ndoshta për këtë do të duhej të diskutohej, që të jepen mendime ekspertësh që të gjendet një kompromis apo zgjidhje me Greqinë. Sepse ASHAM-i nuk është institucion tipik buxhetor, por ne jemi formuar me ligj, funksionojmë me mjete të buxhetit, por mjetet tjera që i fitojmë me donacione, i japin kuptim tjetër Akademisë”, tha Fiti.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, nënshkrues i marrëveshjes së Prespës, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes dhe ndryshimet kushtetuese bëhen për gjeneratat e ardhshme. Ai ka thënë se derisa Maqedonia pret, shtetet tjera anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Në këtë proces kemi hyrë me përgjegjësi ndaj gjeneratave të ardhshme. Ne deri sa presim, shtetet shkojnë përpara dhe anëtarësohen. Proceset bëhen të vështira, dhe në rajon sërish kemi një konkurrencë ndërmjet shteteve. Prandaj nuk e kemi atë luks që të presim që dikush ta kryejë këtë punë. Prandaj nuk duhet të presim që dikush tjetër ta marrë këtë përgjegjësi”, tha Dimitrov ndërsa vijoi leximin e draft – amendamenteve.

Fjalim ka mbajtur edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i cili tha se pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia menjëherë do të anëtarësohet në NATO.

Video Alsat M.

Paraprakisht diskutim për draft-amendamentet u mbajtën në Qeveri dhe në universitetin FON, ndërkaq pritet që përveç këtij të sotmit, të mbahen edhe dy debate tjera.

Ndryshe, amendamentet që janë miratuar janë:

Amendamentin XXXII – parasheh që: Në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, kurse fjala “Maqedonia” të zëvendësohet me fjalën “Maqedonia Veriore”, përveç në Nenin 36.

Amendamentin XXXIV – parasheh që: Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fjalët “Vendimet e ASNOM-it” të zëvendësohen me fjalët “Shpallja e seancës së parë të ASNOM deri te populli Maqedonas për mbajtjen e seancës së parë të ASNOM”, pas fjalës “viti” shtohen edhe fjalët “dhe Marrëveshja e Kornizë e Ohrit”, kurse fshihen fjalët “vendosën të”.

Amendamentin XXXV – parasheh që: 1. Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politika të shteteve fqinje, dhe 2. Me pikën 1 të këtij amendamenti plotësohet Neni 3.

Amendamentin XXXVI – parasheh që: 1. Republika e mbron, garanton dhe kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit maqedonas.
2. Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë dhe qëndrojnë në mërgim dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.
3. Republika kujdeset për pjesëtarët e kombit maqedonas të cilët jetojnë në mërgatë.
4. Republika gjatë kësaj nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e brendshme të tyre.
5. Me këtë amendament zëvendësohet Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Për Marrëveshjen e Prespës mund të lexoni më shumë KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button