Shkup, u promovua platforma e internetit për paraqitjen e korrupsionit

Me rastin e Ditës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni sot para studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup promovoi platformën e internetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi themelor i platformës së internetit është që qytetarëve t’u mundësohet hapësira e sigurtë për paraqitjen e të gjitha rasteve që përmbajnë elemente të veprës penale korruptive.

Gordan Kallajxhiev, kryetar i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, theksoi se studimet e fundit tregojnë se qytetarët nuk kanë besim në institucione, andaj si organizatë joqeveritare vendosën që të krijojnë një platformë interneti.

“Ideja ishte që organizatat joqeveritare që gëzojnë besim të paktën tek një pjesë e konsiderueshme e popullatës të jenë ndoshta ura ose vegla ku mund në mënyrë të sigurtë dhe me besim të paraqesin korrupsionin, qoftë të kenë qenë viktima të korrupsionit apo dëshmitarë”, deklaroi Kallajxhiev.

Ai po ashtu tha se qytetarët që do të paraqesin korrupsion do t’u garantohet anonimiteti, të dhënat e tyre pa aprovimin e tyre askund nuk do të procesuohen. Nëse ka nevojë do t’u sigurohet edhe ndihmë juridike.

Kallajxhiev theksoi se në reformat e reja në gjyqësor parashihet rol serioz i Prokurorisë Speciale Publike.

“Parashihet që në një formë ose tjetër të mbetet ose ta ndajë kompetencën me Prokurorinë publike për krim të organizuar, me çka do të fokusohet mbi të, në njëfarë mënyre korrupsionin dhe krimin tek elita politike duke marrë parasysh atë se institucionet shtetërore që janë nën pushtetin ekzekutiv ose nën ndikimin e tij objektivisht nuk mund të prisni luftë serioze dhe të pakompromistë”, deklaroi ai.

Dita ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit shënohet me qëllim të tregojë për shpërndarjen e kësaj dukurie në shoqëri dhe të promovohen masa efikase për parandalimin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button