Kosovë, vihet në pikëpyetje miratimi në parim i projektbuxhetit të vitit 2019

Me debate dhe mospajtime ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar projektligjin për buxhetin e vitit 2019 të prezantuar nga Qeveria, njofton REL.

Projektbuxheti i parashikuar për vitin 2019 është 2.3 miliardë euro. Nga kjo shifër, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.

Gjatë prezantimit, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, tha se me këtë buxhet, rritja ekonomike do të arrijë deri në 4.7 për qind.

Sipas tij, prioritet ky projektbuxhet i jep sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Në bazë të prezantimit është vërejtur edhe rritje e skemave sociale.

Projektbuxheti është përkrahur nga partitë në pushtet, kurse është kritikuar për mangësi të shumta dhe orientim të gabuar të mjeteve nga partitë opozitare, të cilat janë deklaruar se nuk do ta mbështesin në parim projektligjin e propozuar.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë cilësuar projektimin e buxhetit për vitin e ardhshëm nga ana e Qeverisë si buxhet social dhe jo zhvillimor dhe për këtë arsye, thanë se nuk e mbështesin atë.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës në pamundësi të hapjes së vendeve të reja të punës, e ka shndërruar atë në buxhet të blerjes së paqes sociale në vend.

Lumir Abdixhiku nga ky subjekt politik, tha se ky projektbuxhet e devalvon programin qeverisës pasi, sipas tij, rritja ekonomike në programin qeverisës është proklamuar deri në 8 për qind.

Vërejtja tjetër, siç tha ai, është diskrepanca e madhe në mes të të hyrave dhe shpenzimeve. Ky buxhet, nënvizoi ai, e përgjysmon progresin në shëndetësi, arsim dhe fusha tjera.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, pos tjerash tha se vërehet rritje e skemave sociale dhe rritje e shpenzimeve buxhetore.

Sipas tij, ky buxhet plotëson nevojat e qeveritarëve, po jo edhe të qytetarëve. Në këtë kuadër, ai ka përmendur numrin e madh të të punësuarëve në zyrën e kryeministrit dhe shpenzimet e mëdha që nevojiten për këtë zyre.

Kurse Dardan Sejdiu, deputet nga Partia Socialdemokrate, paraqiti disa argumente pse kjo parti nuk e mbështet në formën e paraqitur buxhetin për vitin e ardhshëm. Orientimi i buxhetit, sipas tij, është fokusuar në infrastrukturë rrugore, skema sociale dhe jo në zhvillim ekonomik pasi deficiti tregtar vazhdon të mbetet në proporcion 10 më 1 në favor të importit, e ky fakt tha ai, në buxhet nuk paraqitet me ndonjë zgjidhje konkrete.

Ndërkohë, pritet të shihet rezultati i votimit në parim për projektligjin për buxhetin.

Nëse buxheti nuk votohet, sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri më 20 dhjetor, vendi mund të shkojë në krizë buxhetore. Atëherë, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button