Tri ditët e çdo çudie

Çdo çudi zgjat tri ditë. Kështu tingëllon një fjalë e urtë e cila ka rezultuar nga eksperienca shekullore e shumë popujve që kanë kuptuar adaptabilitetin e njeriut dhe aftësinë për të harruar, për të ecur përpara dhe për t’u përshtatur me realitetin e ri.

Edhe në Maqedoni çuditë pak a shumë tri ditë zgjasin. Pak më shumë se tri ditë zgjati çudia kur Ivanov fali 56 persona të involvuar në rastet e Prokurorisë Speciale në Prill të vitit 2016. Sot e kësaj dite i shohim pasojat e këtij veprimi, por në fakt, edhe kjo çudi nuk zgjati shumë. Ivanov vazhdoi të mbetet president dhe sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të marë pensionin presidencial deri në fund të jetës. Sepse neve u mësuam me të dhe e pranuam si të tillë, e pranuam si presidentin tonë për dhjetë vjet të tëra. Çudia tjetër e tij poashtu tri ditë zgjati. Nuk e nënshkruajti as dekretin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve e as dekretin e Ligjit për ratifikimin Marrëveshjes së Prespës duke shkelur rëndë kështu obligimet e tija që dalin direkt nga Kushtetuta e RM. Dhe ne vazhdojmë të jetojmë më tej duke e lënë atë ende të konsiderohet si shef i këtij shteti. Tani prokuroria thotë që e heton rastin e këtyre shkeljeve kushtetuese, por informata tjera në këtë drejtim nuk ka. Ai vazhdon të jetë president dhe sipas të gjitha gjasave do të mbetet i tillë deri në zgjedhjet presidenciale të pranverës 2019. Sepse në Maqedoni çuditë tri ditë zgjasin.

Tri ditë zgjati edhe çudia e 27 Prillit 2017. Tani flasim për gjëra të avansuara si pajtimi mes anëve të armiqësuara, rikonsiliimi, rivendosja e paqes dhe harmonisë mes atyre që para një viti mezi shpëtuan nga vdekja dhe mes sulmuesve të tyre që desh ua morrën shpirtin. Nesër pritet të shpallet ligji i përgatitur nga komisioni prlamentar për pajtim i cili sipas të gjitha gjasave do të përfshijë ndonjë formë të amnestisë për deputetët e involvuar në atë ngjarje të përgjakshme. Kjo është pasjoja e realitetit kur çuditë zgjasin tri ditë. Kur harrohen faljet e Ivanovit për aq shpejtë, po aq shpejtë vjen dita të mendohet për amnesti, për falje të të pafalshmes.

Edhe çudia e ikjes spektakolare të Gruevskit tri ditë zgjati. Ende nuk kemi informatë zyrtare si ndodhi kjo. Ende asnjëri nuk barti përgjegjësi qoftë morale, qoftë politike, qoftë penale për atë që ndodhi. Ende nuk ka asnjë rezultat nga hetimi i këtij rasti. Gruevski fitoi azil në një ved të Bashkimit Eropian dhe për këtë kishte disa reagime që u shuan breda disa ditëve. Sepse siç duket, edhe në Evropë çuditë tri ditë zgjasin.

E në ndërkohë, Gruevski ri i qetë dhe i mbrojtur në Budapest. Larg Shutkës, e cila sipas këngëve popullore nuk do i ikte asnjëherë, e megjithatë ai iku që aty, larg reziqeve të ndjekjes penale, larg ajrit të ndotur të Shkupit, duke i shfrytëzuar liritë dhe mundësitë që i jep të jetuarit në një shtet të Unionit Evopian. Ri i qetë dhe i qeshet në fytyrë drejtësisë dhe të gjithë atyre që besonin se sundimi i së drejtës është i mudur në Maqedoni.

Ky realitet, në të cilin çuditë zgjasin tri ditë, si tek ne ashtu edhe tek vendet evropiane, sjell një apati të çuditshme tek njerëzit, e cila shprehet me forcimin e mosbesimit tek institucionet e veçanërsisht tek gjyqësori. Prandaj edhe janë të kuptueshme anketat e fundit që tregojnë që qytetarët kanë besim të ulët tek gjykatat dhe tek prokuroria. Në anketat e fundit shohim edhe ulje të konsiderueshme të besimit tek Prokuroria Speciale. Sepse këto çuditë që zgjasin nga tri ditë nuk i ndihmojnë vendosjes së drejtësisë dhe bartjes së përgjegjësisë penale. Ndërsa pa dejtësi përparimi bëhet i pamundur e shoqëria bëhet apatike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button