Shqipëria kishte 5 milionë ton municione për luftë

Posta në kufi, mitraloza roje e batalione art-mitraljer në një thellësi disa kilometra nga vija e kufirit. Këto ishin pararoja e luftimeve për të penguar mësymjen e armikut, në rast se ushtria e një prej shteteve fqinje do të ndërmerrte një sulm frontal ndaj Shqipërisë.

Pasi ishin mbaruar dhe kompletet personale të çdo ushtari, vinin furnizimet e para. Fishekë pa kufi, që as mendohej se mund të mbaronin edhe nëse zjarri i dendur me 16 fishekë për metër linear do të vazhdonte me ditë të tëra pa u ndalur. Ëndërr apo jo kjo nuk ka shumë rëndësi tanimë. Ajo që merr vlerë është fakti se Shqipëria ishte kthyer në një depo municioni në Ballkan. Pushkë dhe automatik për të gjitha shtetasit dhe kontingjente rezervë sigurisht, ndërsa municion aq sa nuk ta rrok dot mendja. Gjithçka për të përballuar një luftë shumëvjeçare, nëse ndodhte ndonjëherë. Të paktën kështu ishte parashikuar.

…Gjithçka nisi pas një fraze të Enver Hoxhës në një mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes ku citohet të ketë thënë: “Shqipëria duhet të ketë armatim e municion për të përballuar një luftë të gjatë 10 vjeçare”. Që nga ky çast të gjitha njësitë e ushtrisë u kujdesën të kishin rezervat e tyre. Koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, ish-punonjës shkencor e ish-pedagog në Akademinë Ushtarake, i njohur gjithashtu dhe si një prej oponentëve më aktiv për çështjen e sigurisë kombëtare, sqaron për “Shekullin” se si u furnizuan të gjitha njësitë e ushtrisë me armatim e municion.

-Sa municion kishte ushtria shqiptare në kulmin e fuqisë së saj?

Për shumë kohë këto ishin vërtet sekret. Por pas viteve ‘90 shumë gjëra u bënë të ditura. Unë kisha informacione të hollësishme pasi një gjë të tillë ma lejonte dhe puna ime shkencore në ushtri. Është e vështirë të nxjerrësh shifra të sakta. Por do të bëjmë një llogaritje të përafërt. Rezervat e ushtrisë fillonin me krijimin e tyre që në repart (batalion-grup), dhe vazhdonin në regjiment, brigadë dhe divizion. Ndërkohë municione kishte dhe në depot e armatës, të cilat ishin ndërtuar në Qafë Mollë-Dajt, në Elbasan, në Rrëshen, në Berat, etj.

-Çfarë armatimi dhe municione kishte batalioni si repart taktik bazë?

Në fillimet e mia si ushtarak kam qenë komandant i një batalioni art-mitraljer në juglindje të vendit. Po e fillojmë me këto reparte. Në batalionet art-mitraljer (pra artileri dhe mitraloza) ne kishim mitraloza të rëndë me të shtëna praktike 300-350 në minutë, pasi teorikisht ato e kishin 600 numrin e të shtënave në minutë. Në batalionin që drejtoja kisha 54 mitraloza të rëndë. Brigadat që ishin skalion i parë kishin 2-3 batalione art-mitraljer të cilët përveç mitralozave të rëndë kishin në organikë dhe nga 27-36 mitraloza të lehtë për çdo batalion. Batalionet kishin dhe bateri artilerie me nga 4-6 topa regjimental. Ndërkohë kishim dhe bateri mitralozash kundërajror 12.7 mm e lart. Kjo vlente për batalionet në zonat malore. 

-Batalionet e bregdetit kishin tjetër organikë?

Në fakt batalionet në bregdet për shkak të mundësisë më të madhe të sulmit me aviacion nga ana e kundërshtarit, të bombardimit apo desantimit nga ana e tyre, kishin në përdorim dhe topa kundërajrorë të kalibrave të tjerë si: 37 mm, 57 mm, 100 mm, etj. Në brendësi të kufirit shtetëror ishin montuar dhe mitralozat roje të cilët qëndronin 24 orë në gatishmëri dhe hapnin zjarr pa paralajmërim sapo posta në kufi jepte sinjalin për shkelje të territorit shqiptar nga trupat e një ushtrie të huaj. Kishte disa rregulla të përcaktuara për hapjen e zjarrit.

-Cila ishte detyra e luftës së një batalioni?

Batalioni art-mitralier kishte rreth 800 ushtarë organikë, nga të cilët 150-250 aktivë. Çdo batalion kishte për detyrë të mbronte 5-8 kilometra front dhe duhet të bënte një rezistencë nga 6-8 orë, aq sa ishte dhe kufiri maksimal i kompletimit të brigadës. Kishte llogari fortifikuese që brigada të zinte të njëjtat pozicione që kishte dhe batalioni. Pra mundësitë ishin kalkuluar të tilla. Llogaria bëhej një ushtar shqiptar me 3-4 kundërshtarë e më tepër. Ndërkohë ne kishim dhe qendra zjarri sekrete të fshehura nën tokë në mënyrë perfekte të cilat pasi trupat armike hynin në thellësi të territorit tonë ato dilnin mbi tokë duke e futur armikun në mes e duke krijuar zjarr pas shpine. Gjithë taktika ishte që batalioni art-mitraljer ta lodhte e ta rraskapiste armikun që ai kur të përballej me forcat e brigadës të të mos kishte fuqi dhe t’i ishte shpartalluar formacioni i luftimit. 

-Ndërkohë si veprohej me municionin?

Municioni freskohej gjithmonë. Ne në batalion prisnim nga tre kamionë me municion çdo javë të cilat i magazinonim. Municioni paketohej në një mënyrë shumë të mirë e hermetike sa mund të qëndronte 20-30 vjet pa pësuar asgjë. Ndërkohë ne bënim 16-20 qitje në vit me ushtarët efektivë me qëllim që njerëzit tanë të ishin të gatshëm në rast lufte. Dhe në këto qitje shpenzohej një sasi e konsiderueshme municioni, pasi bëheshin ushtrime të shumta, të pandërprera për të kuptuar se sa ishte fuqia e zjarrit dhe si funksiononte sistemi i tij.

-Sa ishte planifikuar sasia e plumbave që do të lëshohej ndaj kundërshtarit?

Që mbrojtja të cilësohej e pathyeshme sasia duhej të ishte 3-4 plumba për metër linear. Sipas eksperiencës së vijës Manerheim, mbrojtja quhej e pakalueshme me këtë dendësi zjarri. Me kaq fronti quhej i mbrojtur dhe kjo eksperiencë reflektohej në artin ushtarak të luftës popullore. Ndërsa Shqipëria kishte një tjetër normë. P.sh, batalioni art-mitraljer ku unë isha komandant e kishte 16.2 plumba për metër linear. Pra katër herë më të lartë nga sa parashikohej në manualet e artit ushtarak. 

-Ku gjendej një sasi kaq e madhe municioni?

Fillimisht municioni vinte nga BS. Më pas me prishjen e marrëdhënieve ne i blinim nëpërmjet Koresë, e cila gjithashtu i blinte nga BS dhe na i kalonte ne. Në vitet e marrëdhënieve të shkëlqyera me Kinën, përveç municionit që na erdhi nga Lindja e Largët në Shqipëri u vunë në punë dy uzina armatimi, ajo e Poliçanit me gati 3800 punonjës që prodhonte fishekë, dhe ajo e Gramshit me rreth 300 punonjës që prodhonte automatike dhe pushkë automatike. Makineritë e këtyre uzinave erdhën pjesërisht nga Franca por pjesa më e madhe ishin prodhim Suedez.

-Sa e kishin kapacitetin prodhues këto uzina?

Uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë që ishin fishekë, pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë. Një fishek kapte koston e 8 lekëve të reja. Ndërsa uzina e Gramshit prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh.

-A mund të kemi një sasi të përafërt të municionit që ishte depozituar në Shqipëri deri në vitin 1990?

Mund të bëjmë një llogari duke u bazuar në sasinë e municioneve që kishin të depozituar njësitë e ushtrisë. Por unë nuk kam informacion mbi sasinë që ndodhej në depot e armatës. Megjithatë një batalion kishte rezervë 2-3 mijë ton municione të të gjitha kalibrave, brigada kishte nga 10-15 mijë ton municione rezervë, ndërsa divizione 20-25 mijë ton municione rezervë.

-Cila është shifra që na del nga e gjitha kjo?

Duhet të kemi parasysh se ushtria shqiptare kishte 22 divizione. Çdo divizion kishte 5-7 brigada, pra ishin rreth 130 brigada, këmbësorie, artilerie, sulmuese dhe rezerva të Shtabit të Përgjithshëm. Çdo brigadë kishte 5-7 batalione. Ishin më shumë se 30 regjimente të artilerisë kundërajrore. Çdo regjiment kishte 3 batalione (ose bateri AKA). Përafërsisht ishin 800 batalione me një sasi totale prej 2 milion ton municion të të gjitha kalibrave. Brigadat dhe regjimentet kishin depot e tyre të rezervave me një sasi prej 2 milion ton municion dhe gjithashtu 22 divizionet kishin depot e tyre me rreth 500 mijë ton municion. Vetëm me kaq kemi të paktën 4.5 milion ton municione. E thamë edhe pak më parë që nuk njohim sasinë e municionit që ishte depozituar në depot e armatës në Qafë Mollë, në Elbasan, në Rrëshen, në Berat, etj. Por këtu duhet të kemi parasysh se batalionet art-mitraljer të zonave malore kishin nga 12 mijë mina kundër tank dhe nga 16 mijë mina kundër këmbësorisë. Ato të kufirit bregdetar kishin edhe më shumë, sidomos mina kundërtanke.

Municionet e njësive

-800 batalione me nga 2-3 mijë ton municione rezervë – afërsisht 2 milion ton 
-160 brigada e regjimente me 10-15 mijë ton municione rezervë – afërsisht 1.6 milion ton 
-22 divizione me 20-25 mijë ton municione rezervë – afërsisht 500 mijë ton municione

Prodhimi i armatimit

-Uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë

-Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë

-Batalionet art-mitraljer të zonave malore kishin nga 12 mijë mina kundër tank dhe nga 16 mijë mina kundër këmbësorisë. 

-Batalionet kishin 10-15 komplete luftarake për çdo armë

-Çdo mitraljer kishte 3-4 gryka rezerve. Në çdo 500 të shtëna gryka nxehej e duhej të ndërrohej. 

Mbrojtja e frontit
-Batalioni mbronte 5-8 kilometra front.
-Llogaria bëhej një ushtar me 3-4 kundërshtarë
-Fronti quhej i mbrojtur me 3-4 plumba për metër linear 
-Shqipëria e mbronte frontin me 16.2 me plumba për metër linear
-Çdo batalion kishte një rezervë municioni për tre vjet luftë

Organika e reparteve

-Ishin 22 divizione
-Çdo divizion kishte 5-7 brigada
-Ishin 127 Brigada, Këmbësorie, Artilerie dhe Sulmuese 
-Çdo brigadë kishte 5-7 batalione
-Ishin 34 regjimente të artilerisë kundërajrore
-Çdo regjiment kishte 3 batalione.  /portalb/

Marrë nga: Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button