Stoltenberg: Transformimi i FSK-së ndodh në moment të papërshtatshëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se qëllimi i Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri ndodh në kohë të papërshtatshme dhe është në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente Stoltenberg i bëri në një konferencë për media pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel ku në mes tjerash është diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Diskutuam qëllimin e Kosovës për të shkuar përpara drejt transformimit të forcës së sigurisë në ushtri. Një hap i tillë bëhet në kohë të papërshtatshme. Ai është në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm euroatlantik të Kosovës”, tha Stoltenberg.

I pyetur se me çfarë pasoja konkretisht do të përballet Kosova si rezultat i transformimit të FSK-së, shefi i NATO-s tha se kjo duhet të diskutohet dhe vendoset nga Këshilli Veriatlantik.

Lidhur me tarifat që Kosova ka vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, Stoltenberg tha se ato krijojnë ndarje të reja.

“Hapat e tillë e bëjnë edhe më të vështirë dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Stoltenberg, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, siç theksoi ai, të përmbahen nga hapat dhe deklaratat provokative.

Ndër të tjera, Stoltenberg tha se në takim është folur edhe për progresin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.

“Tashmë kanë filluar bisedimet. Tani i takon parlamentit në Shkup ta kompletojë procesin dhe ta kapë këtë rast historik për ta çuar vendin në Aleancë”, theksoi Stoltenberg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button