AI: Irani vazhdon të fshehë fatin e mijëra disidentëve politikë

Autoritetet iraniane vazhdojnë të kryejnë krrime kundër njerëzimit duke fshehur fatin dhe vendndodhjen e mijëra disidentëve politikë, të cilët janë ekzekutuar fshehurazi në burg, 30 vjet më parë, tha organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International, transmeton REL.

Organizata, me seli në Londër, u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të krijojnë një mekanizëm ndërkombëtar “të pavarur, të paanshëm dhe efektiv” për të ndihmuar sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për ekzekutimet jashtëgjyqësore.

Organizata Amnesty tha se raporti i saj, i bazuar në dëshmitë e 100 familjarëve dhe të të mbijetuarve nga i gjithë Irani, në dokumente dhe arkiva historikë, zbulon shkallën e ekzekutimeve, të cilat, grupi i të drejtave tha se kanë ndodhur në së paku 32 qytete në të gjithë Iranin, në periudhën korrik-shtator 1988.

Së paku 5,000 pjesëtarë politikë të Organizatës Mujahedin-e Khalq, të grupeve majtiste, studentë dhe të tjerë janë ekzekutuar deri në fund të shtatorit 1988, në atë që Amnesty International e përshkroi si “përpjekje të koordinuar për të eliminuar opozitën politike”.

Disa nga zyrtarët që dyshohet se kanë qenë anëtarë të të ashtuquajturave “komisione të vdekjes”, që kanë marrë në pyetje të burgosurit, vazhdojnë të mbajnë pozita shtetërore, tha Amnesty International.

Grupi i të drejtave tha se të gjithë individët e përfshirë në kryerjen dhe fshehjen e ekzekutimeve, duhet të sillen para drejtësisë, me gjykime të drejta, që përjashtojnë dënimin me vdekje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button