Stoltenberg kritikoi Kosovën për ushtri, thotë se mund të ketë pasoja për të ardhmen euro-atlantike

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, duke folur para gazetarëve në Bruksel pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, e ka quajtur qëllimin e autoriteteve të Kosovës për të transformuar FSK-në në ushtri si një veprim “në kohë të gabuar”.

Ai po ashtu ka kritikuar Kosovën edhe për taksën prej 100 për qind ndaj Serbisë duke thënë se “kjo ka vështirësuar dialogun”.

“Ne diskutuam për qëllimin e Kosovës për të ecur përpara me transformimin e Forcave Kosovare të Sigurisë në ushtri. Një veprim i tillë është në kohë të gabuar. Kjo shkon në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve nga NATO. Dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e integrimeve euro-atlantike të Kosovës”, ka thënë Stoltenberg, raporton “Koha Ditore”.

Ai më tej ka shtuar se “në të njëjtën kohë, tarifat e reja të vendosura nga Prishtina, krijojnë ndasi”.

“Hapat e tillë janë duke e bërë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës edhe më të vështirë se që është. Por kjo mbetet rruga e vetme për të sjellë paqe të qëndrueshme në rajon. Ne inkurajojmë si Beogradin ashtu edhe Prishtinën që të tregojnë përmbajtje. Të përmbahen nga hapat dhe deklaratat provokuese dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme në mënyrë që të mund të lëvizin drejt një të ardhmeje më të mirë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Rreth Ballkanit Perëndimor, Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë diskutuar në praninë e Përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Moigherini. Në hapje të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë se “Serbia mbetet partnere e vlefshme e NATO-s”.

Ka përsëritur gatishmërinë për të nënshkruar protokollin e anëtarësimit me Maqedoninë sapo Shkupi të përmbyllë procedurat për zbatimin e marrëveshjes rreth emrit.

Po ashtu, NATO-ja ka shprehur gatishmërinë që t’i hap rrugë Bosnje e Hercegovinës drejt anëtarësimit, përmes nisjes së ciklit të Programeve Vjetore Kombëtare, edhe pse për shkak të kundërshtimit të entitetit Republika Srpska, ky shtet nuk mund të ketë qëndrim unik rreth anëtarësimit në NATO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button