Zjarrfikësit kërkuan rritje të pagave deri në 20%, Komuna: Protestohet për qëllime politike

Sindikata e zjarrfikësve me protestë të qetë, që e realizoi sot në Tetovë ka kërkuar rritje të pagave deri në 20 për qind dhe kushte më të mira për punë. Komuna nuk e ka pranuar kërkesën, e kurse protestën e sheh me prapavijë politike, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Zjarrfikësve, Sasho Mishevski ka deklaruar se protesta e sotme vjen si rezultat i dështimit të tri përpjekjeve paraprake për të realizuar takim me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

U kërkua pajisje mbrojtëse për punë, pasi që të fundit kanë qenë të furnizuara në vitin 1999.

“Pajisje mbrojtëse për shuarjen e zjarrit nuk kemi marrë që nga viti 1999. Prej atëherë deri më sot jemi gjendur me pajisje nga donacionet dhe furnizimet e shteteve të huaja. Në të gjitha njësitë tjera të zjarrfikësve në Maqedoni është bërë korrigjim i të ardhurave, mbeti vetëm Tetova dhe disa të tjera më të vogla se ajo që nuk ka pasur rritje”, tha Mishevski.

Përfaqësuesit e sindikatës së zjarrfikësve

Përfaqësuesi tjetër i Sindikatës së Zjarrfikësve, Igor Simovski ka kërkuar kushte më të mira për punë të zjarrfikësve dhe rritje të pagave deri në 20 për qind, ndërkohë që njoftoi se kanë angazhuar edhe avokat për të ngritur padi ndaj kryetares së Tetovës, Teuta Arifi.

“Kushtet janë të njëjtat siç kanë qenë në kohën e komunizmit, që kur është themeluar ky njësit. Kemi vetëm 3 dhoma për fjetje të cilat i kemi meremetuar me vetëfinancim, kurse të tjerat janë të shkatërruara. Kushtet higjienike janë të këqija, edhe pse zjarrfikësit kalojnë nga 12 orë këtu. Përmes Sindikatës ne kemi angazhuar edhe avokat. Sipas informacioneve që posedojmë, personi që punon për kryetaren e Komunës i ka miratuar kërkesat për festa shtetërore, dhe për korrigjim të pagave, por në 3 kërkesat e tjera nuk na është përgjigjur, dhe ne do të parashtrojmë ngremë padi. ne duhet të kemi pagë më të madhe deri 20 për qind, kurse na kanë vënë në nivel të njëjtë me pastruesit, kamerierët, dhe vozitësit. Ata marrin rrogë rreth 19 mijë denarë”, tha Simovski.

Komuna e Tetovës: Protesta me qëllime për të përfituar politikisht

Pas protestës, nëpërmjet kumtese ka reaguar edhe Komuna e Tetovës, të cilët duke mos pranuar kërkesën për rritje të pagave, kanë njoftuar për rritjet e fundit në këtë njësit.

“Që nga viti 2013 kemi siguruar donacione në vlerë prej 400 mijë eurove, investime kryesisht në mjete të punës, uniforma, si dhe kamionë për shuarjen e zjarreve. Në vitin 2015 u bë rritja: 4 % rritje të rrogës gjatë orarit të rregullt të punës, 29 % rritje të rrogës gjatë punës në orarin e natës, punë jashtë orarit dhe punë që kryhen gjatë pushimit javor dhe 42 % rritje të rrogës për punë gjatë festave të parapara me ligj në RM-së”, thanë nga Komuna.

Komuna e Tetovës protestën e sheh me qëllim: “Për arritjen e qëllimeve politike nga qarqe të caktuara politike, që mundohen të sabotojnë punën shumë fisnike dhe të dëshmuar ndër vite të Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit – Tetovë”.

Përndryshe, në njesitin e zjarrfikësve edhe më parë është shprehur pakënaqësi për kushtet e këqija të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button