fbpx

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor duhet të mbajnë përgjegjësi, Karaxhovski s’është i kënaqur me propozim-ligjin

“A do t’i zgjidhin reformat e reja, sfidat e vjetra në gjyqësor”, kjo është tema që sot në Shkup i mblodhi ekspertët dhe funksionarët e lartë të institucioneve gjyqësore në Maqedoni për të diskutuar në lidhje me propozim-ligjet e Ministrisë së Drejtësisë për reforma në gjykata dhe Këshillin Gjyqësor, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Këshilli Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, vlerëson se propozim-ligji për Këshillin Gjyqësor nuk është përkatës, ndërkaq për ish gjykatësen e Strasburgut, Margarita Caca Nikollova, ligji i përmbush kriteret dhe është i duhur.

“Zgjidhja ligjore që e parashtron Ministria e Drejtësisë në propozim-ligjin për Këshillin Gjyqësor, në lidhje me përgjegjësinë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk është përkatëse. Sipas meje, nëse do të duhet të ketë përgjegjësi për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, duke e pasur parasysh edhe amendamentin 28 të Kushtetutës se anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë mandat prej 6 vjetëve me të drejtë për rizgjedhje edhe një mandat tjetër, atëherë duhet që së paku ato gjykatës që e kanë zgjedhur të munden edhe ta shkarkojnë dhe jo sikur me propozim-ligjin e ri që të kenë të drejtë 25 anëtarë prej gjykatave në shtet të ngritin procedurë për marrjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Nëse i merret mandati një anëtari të Këshillit Gjyqësor, më pas shtrohet pyetja nëse ai do të ketë legjitimitet të mbetet gjykatës në gjykatën prej ku ka ardhur. Pra çështja është komplekse”, thotë Karaxhovski.

Megjithatë, kryetarja e Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe ish gjykatësja në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska, e vlerëson pozitiv hapin që edhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor të mbajnë përgjegjësi për punën e tyre, gjë e cila deri më tani nuk është bërë.

“Ligjet reformuese për gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor, japin mundësi që merit-sistemi të zbatohet në mënyrë më aktive në pjesën e vlerësimit të gjykatësve dhe shkarkim dhe avancim të të njëjtëve. Është me rëndësi sjellja ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, edhe përskaj asaj që shteti kishte obligim që të miratojë vendim për përgjegjësinë e punës së tyre, por s’e ka bërë. Tani është në procedurë dhe mendoj se kriteret dhe elementet janë të mira të cilat tregojnë se edhe puna e tyre do të jetë nën kontroll dhe se edhe ata do të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre. Këshilli Gjyqësor është garancia dhe ai që duhet të kujdeset për pavarësinë në gjyqësor”, thotë Caca Nikollovska.

Foto nga ngjarja: “A do t’i zgjidhin reformat e reja, sfidat e vjetra në gjyqësor”
Foto nga ngjarja: “A do t’i zgjidhin reformat e reja, sfidat e vjetra në gjyqësor”

Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemail Saiti, vlerëson se ende nuk është koha për veting të gjykatësve, gjegjësisht kontroll të tyre që i plotësojnë apo jo kushtet për të qenë gjykatës.

“Nuk mendoj se janë plotësuar kushtet për veting, por mendoj se gjatë marrjes së vendimeve tona personale të gjykatësve bëjmë një verifikim të punës sonë të përditshme, dhe me këtë do të mundohemi të bëjmë një verifikim të përgjithshëm se çfarë gjendje gjendet gjyqësori në Republikën e Maqedonisë. Ne jemi vazhdimisht nën veting të opinionit, pra me kontrollin e vendimeve tona. Jam i vetëdijshëm se opinioni ka perceptim jo shumë të mirë për gjyqësorin, por vlerësoj se me të vërtetë duhet të gjendet indikator real se cila është grada e atij perceptimi”, thotë Saiti.

Ndryshe, në seancë qeveritare, sot janë dërguar për miratim të dy ligjet për reforma në gjyqësor, gjegjësisht propozim-ligji për gjykata dhe propozim-ligji për Këshillin Gjyqësor. Pas miratimin e i njëjti duhet që të dërgohet në Kuvend për miratim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button