Spiranca e kalbur e shtetit

Lajmi i trishtë për shtyrjen e sërishme të liberalizimit të vizave shtoi edhe më tepër sëmbimin e shtetasve kosovarë

Bisedimet nuk janë vetëm zhvillim teknik e diplomatik që duhet të marrin fund në një etapë të caktuar. Ato, që dikur para Pavarësisë quheshin negociata (mbase për të shtuar medialisht seriozitetin e çështjes në fjalë), paraqesin arenë beteje mes subjekteve të cilat si armë posedojnë argumentin.

Kosova është palë bisedimesh që nga procesi i Rambujesë, mandej Vjenës, tash e sa vite edhe e atij të Brukselit. Në këtë ecejake ka fituar e ka humbur. Fillimisht e gëzoi lirinë, por pa pavarësi. Pastaj fitoi pavarësinë, porse të mbikëqyrur. Më pas, zyrtarisht i përfundoi tutela ndërkombëtare, mirëpo mbeti e izoluar në lëvizje të lirë të qytetarëve të saj. Ç’është e vërteta, Kosovës asnjëherë nuk i kanë munguar argumentet. Dilema qëndron në atë se a e ka dëshmuar mjaftueshëm aftësinë e parashtrimit të tyre.

Kur sistemet lihen në fatin e vet krijohet një gjendje kaotike që quhet entropi. Për rrjedhojë, ato sisteme nisin të amortizohen e dikur edhe shkatërrohen. Prirja që këtë dukuri të një ligjësie fizike ta vëmë në jetë si karakteristikë shtetërore po na shoqëron me një varg të pafundmë dështimesh e zhgënjimesh. Duhet ndërkallur ideja se ky cen social kërkon kurim. Ndryshe s’ia dalim dot.

Lajmi i trishtë për shtyrjen e sërishme të liberalizimit të vizave shtoi edhe më tepër sëmbimin e shtetasve kosovarë. Jo ngaqë ata kanë para nën jastëk dhe mezi presin të shijojnë pushimet në metropolet evropiane, veçse nga etja për t’u ndier të barabartë me popujt e rajonit. Të përbuzur sa më s’ka në shekullin e fundit, kundrejt furtunave të pamëshirshme, kosovarët kanë kthyer velat kah limani i quajtur Evropë. Por, fanari i Brukselit assesi nuk jep shenjën për ankorim. Do të ishte mirë të na qartësonin: problemi gjendet tek anija, tek udhëtarët apo tek ekuipazhi ku secili dëshiron të bëhet kapiten. Ta dimë një herë e mirë se për ç’arsye paracaktohemi të ballafaqohemi me dallgë të mëdha dhe si t’i evitojmë rreziqet nga ndonjë ajsberg i mundshëm i cili mund të shpie në fundosje. Bile edhe më thellë se vetë akullnaja.

Republika e Kosovës, si jo rrallëherë, edhe sivjet, pësoi në lojën politike. Por se ishte eurogol apo autogol, ende nuk dihet. Duhet shikuar në sistemin VAR, që në aktualitetin shqip ndoshta i bie “zgjedhje të reja”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button