KAH PO SHKOJMË?

Ndër shekuj rrinë hapur dyert nga na ikin njerëzit më të mirë: në Italinë e Jugut, në Turqi, në Siri… Tash është hapur dera e madhe kah Evropa Perëndimore e Amerika. Kapërcejnë aty e shkojnë drejt pakthimit të rinjtë tanë. Më të mirët.

Kanë mbetur të rrëgjuarit këtu. Do pensionistë, do që bredhin shtigjeve të politikës së këtyre skutave të harruara, do që bëjnë tregti me fytyrën e vet, do që s’kanë kah ia mbajnë. Dhe, heshtakët. Kanë mbetur këtu edhe ata që planifokojnë “të kujdesen” për pasurinë shoqërore. Dhe, ata që s’kanë kah ia mbajnë.

Në fushë nuk sheh askund një bujk, në mal e bjeshkë asnjë bari.

Fshatrat janë pa djem. Nëpër dritaret e shtëpive atje shihen vajzat duke i fshirë lotët që u burojnë nga vetmia. Dhe dëgjohet kënga e dhembshme “Vajnë vaporat, moj nanë”. Dhe, heshtja.

Më e zëshme është uturima e autobusëve dhe e aeroplanëve të cilët e marrin dhe e çojnë në pakthim pjesën më të mirë të popullit tonë. Vetëm ajo është e lirë të arrijë shtëpi më shtëpi për ta ndezur pikëllimin e nënave plaka. Dhe, ta fikë shpresën e vajzave.

Nuk ka mbetur shtëpi e vjetër fshati, nuk ka mbetur askund një mulli, një vek, një qerre, një vegël bujqësore a një enë, asnjë shenjë: s’po lëmë asnjë gjurmë të të parëve tonë.

U kemi hyrë t’i shkatërrojmë lumenjtë malorë, grykat, rezervatet e bimëve e të kafshëve të rralla. E kemi ndotur ujin që rrjedh mbi tokë dhe nën tokë, në liqenet malore dhe në det.

Tash po i bëjmë përpëlitjet e fundit që edhe ajrit “t’ia lujmë” përfundimisht. Një kohë do të ecim me maskat që do t’i japë ose do t’i shesë Ministria e shëndetësisë e pastaj… Pastaj zoti e di…

Kemi nisur t’i zhdukim kërpudhat, kërmijtë, breshkat. Fëmijët lepurin, ujkun, arushën, macen e egër, vjedullën, kaprollin, drenin i dinë vetëm nga përrallat. I kanë vrarë për lëkurat ose mishin. Për eksport.

Hapësirën e bukur të gjuhës shqipe po e ndotim me fjalë e konstrukte të huaja gramatikore. Themelet tona po i rrënojmë.

Akademitë dhe institutet nuk zgjohen dot nga gjumi. Dhe, s’i zgjon dot as propaganda e paparë e antishqiptare Beogradit.

Kah po shkojmë, vallë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button