Komisari Hahn në Prishtinë: Taksa duhet të hiqet

Taksa që Kosova i ka vendosur Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk duhet të mbetet në fuqi dhe të gjitha problemet e çështjes së tregtisë së lirë duhet të zgjidhen së bashku, deklaroi sot në Prishtinë, Komisioneri Evropian për Politikat Fqinjësisë dhe negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, raporton Anadolu Agency (AA).

Hahn, pas takimeve me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në Prishtinë dhe mëngjesin e sotëm në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç theksoi se BE-ja po punon për të hequr barrierat tregtare.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nënkupton një treg të vetëm, dhe në tregun e vetëm nuk ka barriera doganore dhe kjo ishte një arritje e madhe. E them këtë, sepse ne të gjithë ishim në njëfarë mënyre të habitur dhe të pakënaqur me vendosjen e një takse fillimisht prej 10, dhe pastaj në 100 për qind. Kjo nuk është diçka që duhet të mbetet në fuqi”, tha Hahn në konferencën për media në selinë e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Komisioneri shtoi se të gjithë në BE janë të njoftuar me vështirësitë e hasura nga Kosova dhe është e nevojshme që të dy palët ta adresojnë këtë çështje.

“Unë jam përpjekur t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve të cilat janë të lidhura me tregtinë dhe të formohet një forum i posaçëm për të zgjidhur këto çështje sa më parë që të jetë e mundur, për të kontribuar në një dialog gjithëpërfshirës që është shumë i rëndësishëm për perspektivat e ardhshme të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit”, tha komisari Hahn.

Ai tha se e kupton entuziazmin e shumë njerëzve në Kosovë në lidhje me këto masa, por theksoi se duhet të merret parasysh se si tregu do t’i përgjigjej këtyre tarifave.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Hahn tha se e kupton padurimin e qytetarëve, por tha se nevojiten edhe disa muaj që të përfundojë i gjithë procesi. Komisioneri theksoi se pas një vendimi pozitiv të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, kërkohet një vendim unanim nga Këshilli Evropian.

“Tani është në duart e Këshillit të BE-së ndërsa aty zakonisht duhet më shumë kohë, por jam mase i bindur se data e vitit 2020 është më shumë se realiste por ndoshta edhe më parë, por mos më kapni për fjale”, tha Hahn.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button