Stoltenberg: NATO është e gatshme ta nënshkruajë protokollin hyrës me Maqedoninë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka rikujtuar se Aleanca është e gatshme ta nënshkruajë protokollin hyrës me Maqedoninë sapo të zbatohet Marrëveshja e Prespës, njofton Portalb.mk.

Pak para fillimit të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të anëtareve të NATO-s, Stoltenberg përsëriti se tani çështja është te autoritetet e Maqedonisë ta mbarojnë pjesën e tyre të punës.

“Në Kuvend dhe autoritetet në Shkup duhet që të miratojnë vendime, nuk mund të garantoj në emër të Shkupit. Atë që e pamë në votimin e parë ku ishte e nevojshme shumicë e dy të tretave kaloi, nëse do të ketë shumicë të dy të tretave në votimin përfundimtar nuk dua që të spekuloj, atë që mund ta them është që sapo të zbatohet marrëveshja për emrin ne do të jemi të gatshëm që ta nënshkruajmë protokollin hyrës”, deklaroi Stoltenberg, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske.

Ai shtoi se sapo të nënshkruhet protokolli i Qeverisë së Maqedonisë do të fillojë të marrë pjesë në takimet ministrore të Aleancës.

“Me të vërtetë shpresoj se Shkupi dhe populli në vend do ta shfrytëzojë mundësinë historike që ndodh një herë në jetë”, deklaroi Stoltenberg.

Aleanca mblidhet të martën dhe të mërkurën në nivel ministrash që të diskutojë për sfidat e mëdha të sigurisë. Ballkani Perëndimor është në agjendën e së mërkurës, ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, do të ketë takime bilaterale me kolegët e tij në korniza të kësaj mbledhje në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button