Filloi rrugëtimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore shqiptare në Maqedoni

Festat e nëntorit, për shqiptarët e Maqedonisë erdhën me plot surpriza dhe frymëzim. Në përgjithësi, nëntori cilësohet si muaji me më shumë aktivitete të rëndësishme historike, si Festa e Alfabetit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shumë të tjera.

Ky nëntor për shqiptarët e Shkupit erdhi më ndryshe. E them këtë, sepse shtegu i mbyllur prej kohësh në shkëmbimet e artit popullor, më në fund pa ndritën që u kishte munguar artdashësve shqiptarë.

Bëhet fjalë, pikërisht për mbrëmjen e datës së 28-të nëntorit, ku në qytetin e Shkupit e më saktë, në sallën e Shtëpisë së Armatës u ngjit për herë të parë në skenë trupa e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare të Republikës së Maqedonisë.

Në krye me kompozitorin e mirënjohur Fatos Lumani, tashmë Ansambli Shtetëror fillon rrugëtimin e tij serioz, që në përgjithësi, nuk duket një punë e lehtë.

E vërteta është që Shkupi ka pasur shoqëri të ndryshme artistike që i kanë shfaqur dhe lëvruar ndër vitet traditat shqiptare me autenticitet shekullor. Kjo tregon seriozitet dhe përkushtim nga gjithë shoqëritë e krahinave në mbarë vendin.

Në një kuadër të tillë, koncerti u shfaq me repertor të pasur artistik, si valle, këngë dhe interpretime të ndryshme. Trupa e Ansamblit pati një larmi valltarësh nga të gjithë shoqëritë në Maqedoni, që kanë punuar ndër vite, por edhe këngëtarët më në zë në vend dhe rajon.

Megjithatë, kryesia e Ansamblit të Shkupit kishte menduar të sjellë në koncert si të ftuar special, edhe ansamblin Shkëlzen Doli nga Gjakova. Atmosfera që krijoi Doli, pati impakt të mirë te publiku, pasi që tashmë violinisti është familjarizuar me artdashësit në Maqedoni, duke qenë herë pas here në aktivitete të ndryshme kulturore.

Të flasësh sesi erdhi momenti, që qyteti i Shkupit të ketë një Ansambël Shtetëror, ndoshta duhen faqe të tëra për t’i përmbledhur gjithë peripecitë e kaluara ndër vite. Megjithatë, mund të themi që amaneti për të krijuar një institucion të tillë, tashmë ka shkuar në vend.

Në përgjithësi, theksojmë që rruga e Ansamblit është e gjatë dhe sigurisht, është një luftë me shumë përgjegjësi, për të shpalosur në mënyrë profesioniste gjithë elementet e artit popullor.

Muaji nëntor për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve popullore të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë mbetet i shenjtë. Ndërsa ne urojmë suksese të tjera të tij dhe të vetëdijshëm mund të themi që rruga e Ansamblit filloi me këmbë të mbarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button