Biçikleta, mënyrë e jetesës në Holandë

Biçikleta e cila është një mënyrë e jetesës dhe pjesë e jetës së përditshme në Holandë, përdoret nga të gjithë, nga mosha 7 e deri në atë 70 vjeçare, shkruan Anadolu Agency (AA).

Holanda, e cila njihet si “bota e biçikletave”, ka një popullsi prej rreth 17 milionë banorësh ndërkaq në këtë shtet ka rreth 23 milionë biçikleta. Në bazë të kësaj një familjeje i përkasin mesatarisht 3 biçikleta.

Biçikleta më së shumti përdoret për punë dhe transportin e fëmijëve në shkollë. Çfarë do qofshin kushtet atmosferike, biçikleta përdoret edhe për argëtim. Kështu, biçikleta në 22 për qind të rasteve përdoret për punë, 18 për qind për të shkuar në shkollë dhe 14 për qind për të blerë diçka. Po ashtu 31 për qind përdoret për argëtim, ndërsa 16 për qind për qëllime të tjera.

– Gratë e përdorin biçikletën 180 milionë herë në vit, ndërsa meshkujt 100 milionë herë

Gratë preferojnë biçikletën 80 për qind më shumë se meshkujt. Gratë e përdorin biçikletën 180 milionë herë në vit, ndërsa meshkujt 100 milionë herë.

Biçikleta e cila përdoret për shkak të dobisë së saj për shëndet dhe për shkak se parandalon bllokimin në trafik, në të njëjtën kohë është një mjet transporti i popullarizuar për shkak se në të njëjtën kohë është ekonomike.

– Çdo vit shiten 1 milion biçikleta të reja

Rrugët e drejta dhe korsitë e biçikletave janë një avantazh i madh për qytetarët në këtë vend.

Në Holandë ku çdo vit shiten rreth 1 milion biçikleta të reja, ka një interes të madh edhe për biçikletat e dorës së dytë, pra ato të përdorura. Kështu, një pjesë e madhe e popullsisë, të cilët mësojnë ngasjen e biçikletës që nga mosha fëmijërore, përdor biçikleta të dorës së dytë.

– 15 miliardë kilometra në vit

Korsitë për biçikleta në Holandë kanë filluar të ndërtohen në vitin 1970, pas protestave për shkak të rritjes së aksidenteve të trafikut me përdorimin e automjeteve dhe kërkesës së qytetarëve për ngasjen e sigurtë të biçikletës.

Në këtë vend ka 35 mijë kilometra rrugë për biçikleta. Një person mesatarisht udhëton 888 kilometra me biçikletë në vit, ndërsa në gjithë vendin për një vit udhëtimet me biçikletë arrijnë rreth 15 miliardë kilometra.

– Kurs për biçikletë për ata që vijnë nga vendet tjera

Në Holandë, i cili është shteti ku biçikleta përdoret më së shumti në Evropë, ofrohet mundësia për kurs për biçikletë për ata që vijnë nga vendet tjera.

Vendi përreth stacioneve të trenit është i ndarë si parking për biçikleta, ndërsa në qytetin Utrecht, i cili njihet si qendra e stacioneve, vazhdon ndërtimi i parkut më të madh në botë për biçikleta, me kapacitet për 12.500 biçikleta. Një pjesë e këtij parkut është në përdorim, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë në maj të vitit 2019.

Biçikletat të cilat parkohen edhe në afërsi të kanaleve, pemëve dhe mureve, më së shumti përdoren në qytetet si Amsterdam, Utrecht dhe Groningen.

Në këtë vend është i përhapur edhe sistemi i marrjes me qira të biçikletave, që sidomos preferohet nga turistët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button