Presidenti afgan prezantoi planin për bisedime për paqe me talibanët

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha se qeveria e tij ka formuar një ekip negociator që do të përpiqet të arrijë paqe me talibanët.

“Kërkojmë marrëveshje për paqe, me të cilën talibanët afganë do të jenë të përfshirë në një shoqëri demokratike”, tha Ghani në një konferencë ndërkombëtare për Afganistanin që u mbajt në Gjenevë, transmeton REL.

Këtë muaj, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Zalmay Khalilzad, mbajti bisedime me talibanët në Katar.

Talibanët i kanë refuzuar prej kohësh kërkesat e SHBA-së për të negociuar drejtpërdrejt me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul.

Por, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka rritur përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e Afganistanit pas më shumë se 17 vjet luftë.

“Qeveria ka formuar organet dhe mekanizmat e nevojshëm për arritjen e një marrëveshjeje për paqe. Tani do të lëvizim drejt kapitullit tjetër të procesit të paqes”, tha Ghani.

Ghani tha se ekipi prej 12 njerëzish, i përbërë nga burra dhe gra, do të drejtohet nga shefi i stafit të tij, Abdul Salam Rahimi.

Ghani paralajmëroi se zbatimi i çdo marrëveshjeje të paqes do të marrë së paku pesë vjet kohë.

Në një mesazh të lexuar në konferencën e Gjenevës, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ekziston “një mundësi e rrallë për bisedime të drejtpërdrejta të paqes midis Qeverisë afgane dhe talibanëve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button