Prizren, u dhuruan çelësat e 28 shtëpive për familjet në nevojë

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit” organizoi programin për dorëzimin e çelësave të 28 shtëpive për familjet në nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e organizuar në Shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, themeluesi i Shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati, kryetarë të komunave të ndryshme, pjesëtarë të familjes Jashari, përfaqësues të institucioneve vendore si dhe familjarët të cilët pranuan çelësat e shtëpive.

Në një fjalë rasti kryetari i Komunës së Prizrenit, Haskuka deklaroi se Komuna e Prizrenit jepte ndihma në materiale ndërtimore, por që në shumë raste familjet nevojtare nuk kishin mundësi t’i ndërtojnë shtëpitë me materialet e dhuruara nga komuna.

“Pamë që ‘Jetimat e Ballkanit’ po bëjnë një punë të tillë dhe diskutuam që të zgjerojmë këtë bashkëpunim dhe folëm me zotëri Halil Kastratin i cili u pajtua plotësisht që nga një shumë e madhe e mjeteve të cilët ne e japim për familjet nevojtare për materiale ndërtimore, 20 prej tyre këta të marin t’i ndërtojnë dhe t’i pajisin me të gjitha mobiljet dhe pajisjet tjera shtëpiake”, tha ai.

Haskuka po ashtu falënderoi Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për punën e kryer për një kohë rekorde. “Për 3-4 muaj u bë gjithë kjo punë në Komunën e Prizrenit. 20 në Komunën e Prizrenit dhe 8 në komunat tjera. Ne si komunë kemi ndërtuar edhe 21 shtëpi tjera, por nuk kemi pasur që të japim pajisjet, mobiljet dhe pajisjet tjera shtëpiake për shkak të edhe disa aspekteve ligjore por edhe të aspekteve buxhetore”, tha ai.

Ndërsa humanisti Kastrati gjatë fjalimit të tij vuri theksin për të qënit “të bashkuar”.

“Me të vertetë kur ne duam edhe mundemi, jemi bashkuar edhe rezultati i këtij bashkimi janë këto çelësa. Kemi ditur të jemi bashkë në kohët kur Kosova ka pasur nevojë më së shumti. Në sofrën e jetimave të Ballkanit, në këtë karavan humanitar pasha Zotin po dimë me qenë bashkë të gjithë”, tha ai.

Duke falënderuar të gjithë ata “që dhanë nga djersa e tyre për t’i ndërtuar këto shtëpi”, Kastrati tha se puna e ‘Jetimave të Ballkanit’ është që djersën dhe amanetin e tyre t’ua drejtojnë nevojtarëve. Ai më tej shtoi se “Ëndërroj dhe shpesh herë e lus Zotin që mos të më dalë shpirti pa e parë Kosovën të gjithë me një standard jetese siç është më së miri”.

Ndërkaq familjarët shprehën falënderimet e tyre për komunën dhe posaqërisht për humanistin Kastrati, të cilin e duartrokitën për minuta të tëra.

Kujtojmë se Dita Flamurit dhe e pavarësisë së Shqipërisë, është festë memoriale e shqiptarëve të Kosovës. Kjo ditë është ditë pushimi zyrtar në Kosovë.

Kjo ditë po ashtu lidhet me historinë e afërt të Republikës së Kosovës, ku me datën 28 nëntor të vitit 1997, për herë të parë doli publikisht UÇK-ja. Me të njëjtën datë, në vitin 1955 ka lindur edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, jeta puna dhe vdekja historike e të cilit u bë një simbol i pavarësisë së shqiptarëve të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button