E-Ditari “ra”, kërkohet firmë që do ta rregullojë

Këtë vit shkollor, ditari elektronik nuk funksionon. Mësimdhënësit nuk mund të regjistrojnë as të dhëna e as nota në të për shkak se faqja nuk është në funksion, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk

“Për momentin shënojmë gjithçka që është e nevojshme vetëm në ditarin me shkrim. Presim udhëzime nga administratori kur të fillojmë të regjistrojmë nota edhe në formë elektronike. Prindërit e nxënësve tani nuk pranojnë sms-porosi për mungesat dhe notat e fëmijëve të tyre, për shkak se ka një farë problemi në sistem. Praktika ka treguar se e-ditari është vegël e mirë për shkak se prindërit rregullisht pranonin informata për suksesin e nxënësve”,  thotë Dragica Popovska, mësimdhënëse klasore në shkollën fillore “Panajot Ginovski” në Butel.

Në Ministrinë e arsimit sqarojnë se ka probleme teknike të cilat ende janë duke u zgjidhur.

“Për momentin, kompania e cila është e zgjedhur nëpërmjet prokurimit publik të realizuar, për azhurnim dhe mirëmbajtje të ditarit elektronik, është duke punuar në tejkalimin e sfidave të caktuara teknike dhe mbindërtim të sistemit por edhe në azhurnimin e të dhënave. Ashtu që, pas përfundimit të aktiviteteve të parapara dhe testimit të platformës, mësimdhënësit do të vazhdojnë pa pengesë ta përdorin ditarin elektronik. Ai detyrimisht plotësohet dhe do të duhet të plotësohet, në pajtim me dispozitat aktuale ligjore”, informojnë nga MASH.

Me atë, shtojnë nga MASH edhe prindërit/kujdestarët e nxënësve do të vazhdojnë të kenë pasqyrë të shpejtë dhe të thjeshtë në notat dhe sjelljen e fëmijëve të tyre.

Për pyetjen, deri ku është risia e lajmëruar për reduktim të obligimeve të shumta administrative që i kanë mësimdhënësit, nga Ministria përgjigjen se në këtë fazë është herët të bisedohet për atë.

“Herët është të flitet për dispozita konkrete me të cilat rregullohen obligime të caktuara të mësimdhënësve, ndërkaq të cilat do të jenë pjesë e zgjidhjeve të reja ligjore të cilat do ta rregullojnë fushën e arsimit fillor dhe të mesëm, për shkak se proceset e përpunimit përkatësisht formulimit të tyre (konkretisht në Ligjin për arsim fillor) janë ende në rrjedhë e sipër dhe është duke u punuar në përcaktim të versionit përfundimtar që do të ofrohet edhe në debat publik”, sqarojnë nga MASH-i.

Ditari elektronik filloi të përdoret në shkurt të vitit 2011. Të gjithë mësimdhënësit në shtet kanë obligim ligjor që rregullisht ta plotësojnë, njëlloj siç e plotësojnë edhe ditarin me shkrim. Ky projekt kishte për qëllim të përmirësojë komunikimin ndërmjet mësimdhënësve dhe prindërve, mirëpo praktika ka treguar se sistemi shpesh ka luajtur me nervat e punonjësve në arsim për shkak se “binte”, gjë që i ka pamundësuar ta plotësojnë ditarin me kohë. Problemet ishin më të theksuara  para fundit të vitit shkollor, kur pothuaj 20.000 mësimdhënës në të njëjtën kohë i plotësonin nota përfundimtare për të gjithë nxënësit në E-ditar.

  • E-ditari plotësohet nga viti 2011.
  • 997 mësimdhënës në shkollat fillore dhe 7.420 mësimdhënës në shkollat e mesme e kanë për obligim ta plotësojnë.
  • Prindërit e 192.448 nxënësve dhe të 71.458 gjimnazistëve pranojnë sms-porosi për mungesat dhe notat.
  • E-ditar mbajnë punonjës të arsimit në 993 shkolla fillore dhe në 132 shkolla të mesme

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button