Të gjithë janë pjesë e reformave në gjyqësor, në fund vendos pazarllëku mes pushtetit dhe opozitës

Reformat në sektorin e gjyqësorit janë realizuar me sukses të pjesërishëm, nuk është respektuar korniza kohore, ndërkaq edhe pse ka përfshirje të palëve në procesin e reforave, pazari mes pushtetit dhe opozitës është vendimtar për epilogun e ligjeve, këtë e deklaruan sot Komiteti i Helsinkit dhe pesë organizata joqeveritare gjatë publikimit të rezultateve nga ndjekja e zbatimit të strategjisë për reforma në gjyqësor (2017-2022) në periudhën prej gushtit deri në muajin nëntor, njofton Portalb.mk.

“Reformat janë zhvilluar pjesërisht suksesshëm, veçmas në parametrat që ky grup i organizatave joqeveritare i ndjek, pasi që në disa ligje të caktuara ekziston pjesëmarrje e pjesërishme ose e vogël e organizatat joqeveritare. Dhe sipas asaj që thanë edhe kolegët, në të gjitha ligjet ku OJQ-të kanë qenë të përfshira ka pasur ndryshime më kualitative të ligjeve. Korniza kohore nuk është respektuar, dhe për këtë si arsyetim theksohen proceset politike, të cilat kanë ndodhur paralelisht me zbatimin e reformave, siç ishin bisedimet për emrin, referendumi dhe më tej deri në sigurimin e shumicës së dy të tretave. Megjithatë duhet të dihet se proceset politike janë njëra palë dhe reformat pala tjetër, nuk guxon që proceset politike t’i bllokojnë reformat”, tha Hajdi Shterjova nga Komiteti i Helsinkit.

OJQ-të i rekomanduan pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ që të mos vihen në situatë që me çdo kusht të sigurojnë shumicë prej të dy të tretave në llogari që ligjet të kalojnë dhe bashkë me këtë të përfitojë edhe ndonjë strukturë politike.

“Nuk mundet që Qeveria dhe Kuvendi të vihen në situatë që të miratojnë ligje vetëm që të nënvizohen se janë miratuar, me qëllim që të arsyetohen se i kanë përmbushur obligimet për kapitullin 23 të BE-së, por përkundrazi duhet që të miratohen reforma kualitative dhe thelbësore të cilat, të gjithëve do t’ua ndërrojë jetën kualitative dhe do të na kthejë besimin në gjyqësor. Për një pjesë të këtyre ligjeve nuk është bërë analizë për Vlerësimin e Ndikimit të Rregullativës (VNR), e cila ndikon për jetësimin e mëtutjeshëm të ligjit, pasi që në letër ne mund të vendosim ligj shumë kualitativ, por nëse nuk parashihet se si do të zbatohet, përsëri nuk do të kemi reforma, por vetëm ligje në letër”, deklaroi Shterjova.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi nga Instituti për të Drejtat e Njeriut, Mirosllav Draganov theksoi se problemi qëndron në atë se, edhe pse përfshihen të gjitha palët, në fund prapë pushteti me opozitën bëjnë pazar se si duhen të duken versionet përfundimtare të ligjeve, transmeton Portalb.mk.

Sistemi i Regjistrit të Vetëm Nacional Elektronik (RVNE), pra aty ku 20 ditë të gjithë mund t’i japim komentet tona për propozim-ligjet s’është avancuar. Problemi kryesor paraqitet pas mbarimit të atyre 20 ditëve, pasi që ne më pas nuk e dimë nëse janë ose s’janë pranuar propozimet tona. Është me rëndësi të dihet se pse janë pranuar dhe pse s’janë pranuar propozimet. Kur ky sistem nuk është mjaftueshëm i avancuar, vihet në pikëpyetje edhe ajo çka ndodhi me ndryshimet ligjore të fundit për gjykata dhe Këshillin Gjyqësor dhe kjo është përshtypja që pa dallim që formalisht të gjitha palët janë të përfshira, në fund kyçe është pazari mes pushtetit dhe opozitës që të kenë shumicë prej dy të tretave”, deklaroi Draganov.

Në lidhje me reformat, ai theksoi se “është respektuar pjesa më e madhe e mendimit të Komisionit të Venedikut, por reforma të caktuara që të flasim për kuptimin e vërtetë të reformave disi janë lënë pas dore, e cila sipas të gjitha gjasave do të sjellë debat në periudhën e ardhshme”.

Ndryshe organizatat civile Komiteti i Helsinkit në bashkëpunim me Institutin për të Drejtat e Njeriut, Koalicionin për Gjykim të Drejtë, Institutin për Politika Evropiane, Qendra për Hulumtime Juridike dhe Analiza dhe Shoqata e Juristëve të Rinj, më përkrahje të Fondacionit Shoqëri e Hapur, kanë vëzhguar procesin e ndryshimit të 14 ligjeve për reforma në gjyqësor, sipas parametrave për transparencë, përfshirje të palëve, korniza kohore dhe zbatimin e të njëjtave. Shumica e këtyre ligjeve, nuk janë miratuar dhe nuk është respektuar korniza kohore. Sipas OJQ-ve, ky procesi i reformave ka qenë pjesërisht i suksesshëm dhe ka pasur pjesëmarrje të palëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button