Shqipëria feston Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë (VIDEO)

Shqipëria shënon sot Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, ku në vend janë organizuar ceremoni nga institucionet qendrore dhe lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Në të gjitha qytetet e Shqipërisë me rastin e 106-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit janë organizuar aktivitete të ndryshme, ndërsa ceremonitë kryesore janë mbajtur në Vlorë dhe Tiranë.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar në Vlorë ku në mënyrë simbolike u ngrit flamuri i Shqipërisë, të pranishëm ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i vendit, Edi Rama, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, si dhe zyrtarë të Bashkisë së Vlorës.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Emocion i veçantë të merrja pjesë sot në Vlorë, ‘kryeqytetin’ e Festës së Pavarësisë, në ceremoninë shtetërore për nder të simbolit më përbashkues të shqiptarëve. Përkulem me respekt para veprës së përjetshme të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali”, u shpreh Meta për mediat në Vlorë pas ceremonisë.

Ndërkohë, një ceremoni zyrtare ka organizuar edhe Bashkia e Tiranës në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesve të bashkisë dhe qytetarëve.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, ku tha se “Sot është një ditë e bekuar teksa ne festojmë 106-vjetorin e ditës së pavarësisë. Ka qenë në fakt akti më sublim kombëtar, historik dhe politik për të gjithë shqiptarët. Ne jemi më shumë sesa qyteti i Tiranës, ne jemi shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe kudo janë vëllezërit dhe motrat tona.”

Me rastin e festave kombëtare të nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë edhe këtë vit, ka vijuar traditën e organizimit të “Dyerve të Hapura”. Salla e seancave plenare, sot dhe nesër do të qëndrojë e hapur në pritje të vizitorëve vendas dhe të huaj.

Në Shqipëri 28 Nëntori festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë që është festë zyrtare, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button