Trupi Koordinues për Pajtim do të merret vesh edhe për ligjet reformuese me shumicë prej dy të tretave

Në mbledhjen e parë të Trupit për Pajtim është konfirmuar dinamika për punë në interes të proceseve dhe vendosje të bashkëpunimit, informoi kryetarja e Trupit, Frosina Remenski, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se në takimin e sotëm është marrë vesh të formohen tre grupe punuese – për integrime, për reforma dhe për pajtim.

“Iniciativa ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese për anëtarësim në BE dhe NATO. Nëngrupi i dytë është për plan më të gjerë për pajtim dhe do të punojë për zgjidhje në lidhje me ngjarjet e 27 prillit. Do të ketë plan afatgjatë.  Ky është akt i konsensusit mes deputetëve të përgjegjshëm të cilët konsiderojnë se pa bashkëpunim për temat që na ndajnë nuk mund të shkojmë në reforma dhe integrim. Nëngrupi i tretë do të jetë për procesin reformues drejt agjendës së BE-së. Këtë do ta mundësojmë përmes procesit përfshirës dhe bartjes së vendimeve për reforma dhe dy e treta e ligjeve do të ndërtohen përmes konsensusit”, tha Remenski në konferencë për media në Kuvend.

Ajo potencoi se nuk i tregojnë gjykatës se si ta matë fajin, por do t’i tregojnë se ka gjykim të drejtë dhe qasje të kujdesshme për ngjarjet e 27 prillit.

“Ky trup nuk ka për qëllim të jetë mbi prokurorinë dhe gjykatat. Ideja jonë është të shqyrtojmë mundësi për sugjerime dhe propozime që do t’i konsultojmë me ekspertë”, shtoi ajo.

Nuk kemi dhënë vula blanko, procesi për pajtim dhe integrim është miratuar, deklaroi deputetja Emilija Aleksandrova nga grupi i pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Ajo apeloi që procesi të fillojë sa më shpejtë dhe theksoi se që prej sot ose nesër grupet do të fillojnë me punë.

Trupin koordinativ e kryesojnë nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Tashevska Remenski dhe Emilija Aleksandrova nga grupi i pavarur parlamentar, ndërsa numëron 25 anëtarë mes të cilëve nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare me përjashtim të VMRO-së dhe përfaqësues të deputetëve të pavarur dhe partive që nuk kanë grupe parlamentare.

Më parë në opinion dolën informata se është përgatitur draf ligj për amnisti, por informata zyrtare ende nuk ka. Se a do të ketë përkrahje nga deputetët e opozitës së VMRO-DPMNE-së varet nga ajo që do të ofrohet, theksuan deputetët nga ky grup parlamentar.

Partia opozitare e VMRO-DPMNE-së propozoi, por shumica parlamentare nuk pranoi ligj për amnisti të plotë për ngjarjet e 27 prillit. Nga LSDM përsëritën se nuk mund të ketë amnisti për ata që kanë planifikuar, porositur dhe kryer dhunë në Kuvend.

LEXO: Kuvend, “Trupi për Pajtim” përmes disa ligjeve do të propozojë amnisti të shkallëzuar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button