Shënimi i 28 Nëntorit në Maqedoni, nën hijen e Marrëveshjes së Prespës (FOTO+VIDEO)

Akademia solemne për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, që u mbajt sot në Shkup, nën organizim të partisë shqiptare në pushteti, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ra nën hijen e Marrëveshjes së Prespës e cila përmblodhi kontestin 25-vjeçar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Askush nga folësit nuk e përmendi Marrëveshjen e Ohrit, e cila kishte për detyrë të definojë qartë parametrat etnik dhe të sigurojë përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se për shqiptarët proceset akoma nuk përfunduar, pasi që në Maqedoni duhet të mbyllet Marrëveshja e Prespës, e cila do të mundësojë integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Sot jemi në një situatë, që duhet edhe më shumë të punojmë, dhe sidomos në këtë prag të këtij 100 vjetori të mbarimit ose mos mbarimit të Luftës së Parë Botërore, sepse proceset akoma tërësisht nuk janë përfunduar. Ne këtu duhet të mbyllim Marrëveshjen e Prespës, që është një çështje goxha e madhe por edhe e përmasave, jo vetëm rajonale, por edhe evropiane. Përmbyllja e kësaj marrëveshje, edhe pse ka të tjerë që kanë dëshirë që kjo marrëveshje të dështojë, por nuk duhet të lejojmë që kjo të arrihet, sepse me dështimin e kësaj marrëveshje, dështon procesi i paqes, procesi i integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti.

Akademia solemne për shënimin e 28 Nëntorit – Dita e Flamurit Shqiptar

Edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi vlerësoi se synimi kombëtar, bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një vend, është Evropa e bashkuar.

“Kjo datë mban një vend hyjnorë në përcaktimin e identiteti dhe luftës shekullore të kombit shqiptar kudo që gjinden, për liri dhe pavarësi, qoftë individuale por edhe kolektive. Përkushtimi ynë për të arritur synimin kombëtar dhe kolektiv, dhe për fatin historik që na ka ndarë, të ndajmë këtë tokë edhe me tjerët, nuk jemi shpirtngushtë, që të bashkëveprojmë, dhe të bashkërendisimin përcaktimet tona të jenë të gjithë së bashku në një Evropë të bashkuar dhe demokratike, me vlera evropiane”, tha mes tjerash Xhaferi.

Akademia solemne për shënimin e 28 Nëntorit

Në emër të institucioneve të Kosovës e uroi edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili poashtu theksin e arritjeve të shqiptarëve e vendosi në rolin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

“30 vitet e fundit janë ngritje e shqiptarëve. Shqipëria dhe demokratizimi i Shqipërisë është një sukses. Krijimi dhe ndërtimi i një Shqipërie evropiane është një sukses. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një sukses, sikurse Kosova e pavarur, njohja e saj ndërkombëtare dhe raporti i saj me Bashkimin Evropian. E arritur e madhe janë edhe vendimet që janë marrë në Shkup gjatë vitit 2018, ndryshimet kushtetuese, Marrëveshja e Prespës, dhe roli që ka pasur faktori shqiptar në Maqedoni, duke qenë faktori më perëndimor dhe më evropian”, tha Hoxhaj.

Drejtori i ITKSHM-së, Skender Asani

Ndërkaq drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve i Maqedonisë (ITKSHM), Skender Asani kujtoi emrat e heronjëve të cilët duhet të nderohen më 28 Nëntor, duke filluar nga 28 nëntori i vitit 1443, për të vazhduar me paraqitjen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në këtë përvjetor kujtojmë dhe nderojmë sakrificën që e prijësve tanë nëpër histori, që na kanë bërë që sot të ndihmi krenar, dhe me një identitet të pacenueshëm kombëtar. Sot kur kujtojmë 28 nëntorin, nderojmë heroin tonë Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili riktheu në atdhe dhe guximshëm e ngriti flamurin kombëtar. Sot nderojmë edhe burrin e mençur të Vlorës, Ismail  Bej Qemalin, i cili i ngrit flamurin në Vlorë dhe e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur. Sot kujtojmë edhe Hasan Prishtinën, i cili Shkupin e shihte si strumbullarin kryesor të çështjes shqiptare. Kujtojmë dhe nderojmë Isa Boletinin, Idriz Seferin, Mehmet Pashë Derrallën, Ali Shefqet Shkupin, Gjon Sereqin, Adem Jasharin dhe paraqitjen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ndër të tjerash Asani.

Në ngjarje nuk u pa i pranishëm zëvendëskryeministri përgjegës për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika.

Sot nis rrugëtimin artistik Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare i Maqedonisë

Sot, më 28 Nëntor, për nderë të Ditës së Flamurit në bashkëpunim me shoqatat kulturore në Maqedoni, do të realizohet edhe aktiviteti i parë i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoni (ASHKVSHM). Ansambli ka organizuar koncert festiv për festën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit, që do të mbahet në hapësirën e Shtëpisë së Armatës në Shkup të Maqedonisë, me fillim prej ora 19:00. Të ftuar special, Ansambli Shkëlzen Doli.

Në koncert do të prezantohen dy koreografi nga anëtarë të shoqërive kulturore artitike në Maqedoni: “Bajram Shabani”, “Dibra”, “Drita e Dervenit”, “Duflla”, “Emin Duraku”, “Jahi Hasani”, “Jehona e Malësisë”, “Karshiaka”, “Ibe Palikuqi”, “Shkupi”, “Shqiponja” dhe “Xheladin Zeqiri”, nën përcjellje të këngëtarëve dhe instrumentistëve: Adnan Aliu, Arben Asllanaj, Bajramali Idrizi, Emin Xhaferi, Hasan Limani, Jetmir Rexhepi, Musa Izeri, Mustafa Imeri, Qerim Hamidi, Saranda Imeri dhe Selami Kolonja.

LEXO: Dita e Flamurit – Ansambli Shqiptar i Maqedonisë do të nis rrugëtimin artistik (VIDEO)

106 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë – Dita e Flamurit

Sot bëhen 106 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Pavaresise shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë,per shkak se kombi shqiptar ishte i rrëzikuar nga vendet fqinje sepse kishte nje vlerë të madhe gjografike dhe strategjike.

Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për qentë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button