Shkencëtarët mbi kuaj

Në një fotografi të moçme shihet akademiku serb Jovan Cvijiqi i hipur mbi kalë. Ai së bashku me disa studiues shkonin drejt zonave të thella shqiptare që ta dëshmonin praninë e elementit serb.

Akademiku, që i shërbeu politikës shoviniste serbe dhe pati ndikim në vizatimin e kufijve të Ballkanit, pasi i vizitonte viset shqiptare e përsëriste refrenin se shqiptarët aty ishin vendosur shumë vonë.

Shkencëtarët serbë i kanë shërbyer ideologjisë nacionaliste. Misioni i tyre ka qenë politik dhe jo shkencor. Ata u vunë në shërbim të politikës nacionaliste serbe, e cila u përkrah nga klerikët, shkrimtarët, eprorët, diplomatët dhe gazetarët serbë. Ata kishin shumë miq nëpër botë, mbanin korrespondenca me ta, kurse falsifikimet i paketonin me mjeshtëri për opinionin e jashtëm.

Një tjetër serb që udhëtonte me kalë ishte Spiridon Gopçeviqi. Qeveria serbe i kishte ndarë një honorar të majmë për ta bërë një statistikë etnografike, por ky fakt duhej të mbetej sekret shtetëror. Misioni i tij ishte që serbët kudo të paraqiteshin si popullatë shumicë dhe autoktone. Shtetit serb i duheshin statistikat e këtilla që t’u “dëshmonte” qendrave të vendosjes se “serbët ishin shumicë” dhe atyre duhej t’u takonin territoret e caktuara. Gopçeviqi, për këtë qëllim, kudo ku shkonte, numëronte “serbë”, “serbë muhamedanë” dhe një numër të vogël “arnautësh”. Sipas një dokumenti, qeveria serbe ishte angazhuar të gjente botues të huaj për librin e tij. Ky libër u botua me pseudonimin Leo Brenner, me qëllim që autori të dukej si i huaj dhe të ishte më i besueshëm për lexuesin europian.

Prej shënimeve të Gopçeviqit ishte frymëzuar edhe shkrimtari gjerman Karl May. Ai botoi një libër letrar për shqiptarët edhe pse asnjëherë nuk i kishte vizituar vendet që i përshkruan. Shkrimtari ra pre e mashtrimeve, prandaj na paraqet si zullumqarë.

Ka shumë “misionarë” të tjerë serbë, që i vizituan viset shqiptare dhe shkruan “për ardhacakët”, ashtu sikurse shkruhet edhe në librin propagandistik “Enciklopedia maqedonase”. Këta shpesh e përmendin termin “arnautashë”, që përdorej për “serbë të shqiptarizuar”. Aty ku nuk gjenin popullatë serbe shpiknin “arnautashë”, kurse shqiptarët e Rekës i quanin “serbë shqipfolës”.

Edhe mashtruesi tjetër, Jovan Trifunovski, i vizitoi vendbanimet shqiptare në Maqedoni dhe shumëfishoi marrëzira, që studiuesve maqedonas e serbë ende u shërbejnë si “referenca shkencore”. Librave të këtillë u referohen edhe studiues të huaj, që u vjen mërzi të hipin mbi kuaj. Kështu, djali i një komiti u bë komit i “shkencës serbe”.

Ndonëse me shumë vonesë, studiuesit shqiptarë, ashtu sikurse veproi Robert Elsie, duhet të dalin në terren, ku ka shumë margaritarë nga kultura dhe historia jonë. Shkencëtari nuk punon vetëm në zyrë, por edhe në terren…

Ka edhe një foto tjetër të vjetër. Aty shihen Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi. Ata, hipur mbi kuaj, shkonin në Elbasan ta hapnin Normalen, njërën prej shkollave më prestigjioze që kanë pasur shqiptarët…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button